Connect with us

Kosova

Diplomati britanik: Kosova OK, por në politikë vendos më i fuqishmi

Diplomati britanik, Timothy Less, thotë se Kryeministri Kurti ka të drejtë kur po kërkon që kryetaret e rinj shqiptar ta ushtrojnë detyrën e tyre zyrtare në komunë. Megjithëse sipas tij në politikë nuk vendos ai që ka të drejtë, por ai që është më i fuqishmi. Tensionet akoma janë të larta në pjesën veriore të Kosovës. Serbët lokal po insistojnë që kryetarët e rinj shqiptar të japin dorëheqje nga postet e tyre në katër komunat veriore. Megjithatë, diplomati britanik, Timothy Less, thotë se Kosova është duke vepruar sipas ligjit me emërimin e katër kryetarëve të rinj në komunat veriore të Kosovës, përkundër protestave të vazhdueshme nga komuniteti serb. Sipas tij në rast se Kryeministri Kurti nuk do të vepronte në këtë mënyrë do të përbente shkelje të ligjit dhe të kushtetutës së vendit. Ai madje shprehet i bindur se kryetarët duhet ta ushtrojnë funksionin e tyre nga objektet komunale.

“E kuptoj logjikën e qëndrimit të Kryeministrit Kurti. Nga këndvështrimi i tij, veriu është pjesë e Kosovës, pavarësisht se kush jeton atje dhe çfarë duan. Nëse kryetarët e komunave japin dorëheqjen, atëherë ata duhet të zëvendësohen dhe kjo u bë pas zgjedhjeve demokratike në veri. Tani kryetaret e rinj duhet të lejohen të lëvizin në zyrat e tyre për të kryer punën e tyre. Çdo gjë më pak do të ishte një shkelje e ligjit dhe kushtetutës”, tha i për Tëvë 1

Megjithatë diplomati thotë se në politikë ka pak rëndësi se kush e ka me të drejtë sepse në fund vendos ai që është më i fuqishmi.

“Normalisht që qasja e Perëndimit është zhgënjyese për Kurtin, i cili thjesht po e mbron ligjin në këtë rast por ai duhet ta ketë parasysh se humbja e mbështetjes nga SHBA-të do të ishte një katastrofë për Kosovën. Në politikë ka pak rëndësi se kush e ka me të drejtë sepse në fund vendos që ai e ka fuqinë, që në këtë rast është Perëndimi”, tha ai.

Sipas Less, është plan i Perëndimit që Kosova t’u japë autonomi serbëve.

“Nuk ka dyshim se ky është plani i Perëndimit, diplomatët dhe politikanët kanë thënë vazhdimisht se duan që Kosova t’u japë autonomi serbëve. Në një mënyrë apo tjetër, kjo ka gjasa të ndodhë, megjithëse ka ende shumë të panjohura.  Por nëse Kosova vazhdon të sfidojë SHBA-në për çështjen e veriut të Kosovës, atëherë rrezikon izolimin diplomatik dhe tërheqjen e mbështetjes amerikane siç edhe ka kërcënuar tashmë ambasadori amerikan”, u shpreh Less

Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, po bëjnë thirrje të vazhdueshme që palët t’i zbusin tensionet dhe të ulën në tavolinën e bisedimeve.

Advertisement