Connect with us

Aktualitet

Doganierë dhe biznesmenë, SPAK ekzekuton 36 masa sigurie për të dyshuar për kontrabandë

Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 20, viti 2023* për një skemë të sofistikuar kontrabande të cigareve, ku janë përfshirë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si edhe punonjës të strukturave doganore.

Personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së. Konkretisht, subjekti tregtar (Fabrika e Cigareve “A.T”) i përfshirë ka aplikuar dhe është pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), nga autoritet doganore, me qëllim përjashtimin nga taksat dhe detyrimet doganore si në import të lëndës së parë ashtu dhe në eksport. Subjekti punon me regjim “fason”, duke prodhuar paketa cigare, për të cilat ka markë të regjistruar dhe eskluzivitet, për llogari të firmës porositëse me seli jashtë territorit të Shqipërisë.

Nga hetimet ka rezultuar se marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar, përcakton destinacionin i cili rezulton inekzistent. Grupi i struktuar kriminal, në më shumë se 30 (tridhjetë) raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore. Këto janë të konsiderueshme, nisur nga fakti se janë mall akcize dhe nuk janë përmbushur detyrimet ligjore për eksport, ashtu sikurse është pasqyruar jo realisht në dokumentacionin doganor.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky grup i strukturuar kriminal me një veprimtari të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, për qëllim fitimi ekonomik, ka sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e 366.034.451,000 lekë dhe vendeve të BE-së në një rast në vlerën 2,802,159,90 euro nëse kontrabandimi do të ishte i suksesshëm, dhe në katër raste të tjera e kanë arritur qëllimin duke i humbur BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10.000.000 Euro.

Kjo veprimtari është realizuar përmes legjitimimit të kontrabandës nga struktura të caktuara të doganës në shkelje të ligjit duke mos shoqëruar ngarkesat me strukturat e antikontrabandës deri në dalje nga territori i Shqipërisë si dhe çlirim eksporti fiktiv në sistemin “Asycuda World” sikur kjo sasi cigaresh ka dalë nga vendi ynë në doganën dalëse të përcaktuar në deklaratën doganore. Gjithashtu prodhimi i paketave të cigareve pa pullë fiskale, nuk ka mundësuar vjeljen e detyrimeve doganore nga vendi ku janë destinuar për tu shitur, veprimtari kjo në kundërshtim me Ligjin e akcizës.

Advertisement