Bota
Donald Trump po gabon/ Orban: Do t’i them të heqë sanksionet ndaj Putinit
Nga Corriere della Sera
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ishte dje në Vatikan dhe Romë: së pari për një takim me Papën, pastaj me kryeministren Giorgia Meloni. Takimi midis Melonit dhe Orbán përfundoi pak pas orës 16:30. Në një deklaratë nga Palazzo Chigi thuhej se mes Melonit dhe Orban u bisedua “një kornizë për të eksploruar perspektivat për marrëdhëniet dypalëshe dhe për një shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet kryesore aktuale ndërkombëtare, veçanërisht situatën në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe axhendën evropiane. Ndër temat e diskutuara ishin iniciativat për menaxhimin efektiv dhe inovativ të flukseve të migracionit”.
Lidhur me luftën në Ukrainë, qëndrimi i Orbán është i njohur mirë: nuk është rastësi që, edhe gjatë Këshillit Evropian të javës së kaluar, Hungaria nuk e nënshkroi kërkesën (e bërë Komisionit të BE-së) për të financuar Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, duke lënë të hapur mundësinë e dhënies së një kredie bazuar në asetet e ngrira ruse. Me atë rast, udhëheqësit evropianë nisën paketën e 19-të të sanksioneve kundër Moskës.
Duke folur për “Repubblica” dhe “Il Messaggero” në prag të vizitës së tij, Orbán tha se – në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – “Bashkimi Evropian nuk ka asnjë rëndësi. Ne ua kemi dhënë mundësinë për të zgjidhur luftën amerikanëve dhe rusëve. Fatkeqësisht, ne nuk kemi asnjë rol. Evropa është plotësisht jashtë loje.”
Duke komentuar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër Rosneft dhe Lukoil – dy nga kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi – Orbán tha se “Trump gabon në lidhje me Putinin. Do të shkoj tek ai që të heqë sanksionet ndaj Rusisë. Së shpejti do të jem me Trump për të zgjidhur problemin e sanksioneve të naftës”, sepse “Hungaria është jashtëzakonisht e varur nga nafta dhe gazi rus. Pa to, çmimet e energjisë do të rriten ndjeshëm, duke shkaktuar mungesa në furnizimet tona”.