Connect with us

Aktualitet

Dosja e atentatit në Fushë-Krujë, 24 plumba në drejtim të banesës së Bejtjes

Top Channel ka zbardhur dosjen hetimore për atentatin e ndodhur në Fushë Krujë më 4 korrik, ku mbeti i vrarë kunati i Gentian Bejtjas, Ramazan Sina dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha tregohet se autorët qëlluan me 24 plumba në drejtim të banesës së Gentjan Bejtjes dhe më pas u larguan në këmbë. Nga plumbat mbeti vrarë kunati, por shënjestër duket se ishte Bejtja, i cili u ka shpëtuar edhe atentateve të tjera.

Tutje, para se të hipnin në automjetin që i priste, ata qëlluan edhe disa herë në ajër me armë zjarri. Automjeti ishte vjedhur në muajin maj dhe u gjet i djegur pak pas atentatit, pa targa.

Pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje Valter Bamin dhe në dorën e tij të majtë u evidentua prania e një mikrogrimce me karakteristikë (unike) me përmbajtje të tre elementëve kimikë (Antimon, Barium de Plumb) me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armeve të zjarrit.

“Më datën 3 korrik, Ramazan Sino (viktima) ka qenë në Tiranë së bashku me motrën e tij, bashkëshorten e Gentian Bejtjas, si dhe dy nipat e mitur që mbetën të plagosur. Pasi kanë kryer disa vizita mjekësore për nipat, kanë udhëtuar me mjetin e tyre tip “Audi” nga Tirana në drejtim të fshatit Larush të Fushë Krujës. Pasi kanë mbërritur në banesën e së motrës, kur po zbrisnin nga automjeti i parkuar brenda në oborr, përpara hyrjes kryesore të shtëpisë, persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë hapur zjarr në drejtim të personave që kanë zbritur nga mjeti. Si pasojë e të shtënave me armë ka gjetur vdekjen Ramazan Sino dhe u plagosën dy nipat e tij, A.B. dhe R.B. Dy fëmijët u dërguan në Spitalin e Traumës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në oborrin e banesës së Gentian Bejtjës, e cila ishte e rrethuar me avlli të lartë, në oborr janë gjetur të shpendarë në formë të çrregullt 24 gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm, një predhë e dëmtuar, në murin e banesës dhe murin rrethues të avilisë janë konsturuar demtime në formë vrime të shkaktuara predhat e fishekëve të armëve të zjarrit.

Nga të dhënat paraprake rezulton se autorët pasi kanë realizuar qëllimin kriminal, janë larguar për disa metra në këmbë në rrugicën e lagjes dhe rrugën kryesore i ka pritur një automjet. Pasi kanë qëlluar disa herë ne ajër me armë zjarri, autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar në dreitim të aksit rrugor me sens lëvizje Larushk – Fushë Krujë. Në rrugën ku autorët qëlluan në ajër, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 model 56, kaliber 7.62 mm.

Pak minuta më pas, është njoftuar policia se në fshatin Tapizë, Fushë-Krujë, ka qenë duke u djegur një automjet. Në vendngjarje janë paraqitur shërbime të policisë, që kanë konstatuar se automjeti tip Volsvagen, pa targa, në gjendje të djegur. Nga kqyrja rezultoi se në brendësi të mjetit u gjetën 3 armë zjarri automatike model 56, kalibër 7.62. Nga identifikimi i automjetit rezulton se është vjedhur më 11 maj të këtij viti, e cila ishte në pronësi të shtetases K.L.

Në lidhje me ngjarjen është pyetur nga policia Valter Bami, i cili u la sot në burg. Bamit i janë marrë mbetje në dorën e majtë për të kryer ekspertizën nëse kishte lidhje me ngjarjen, ku u evidentua prania e një mikrogrimce me karakteristikë (unike) me përmbajtje të tre elementëve kimikë (Antimon, Barium de Plumb) me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armëve të zjarrit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. /Top Channel

Advertisement