Sport
“Drama” e mediave serbe: ‘Huliganët’ shqiptarë s’kishin mëshirë, i mbijetuam ferrit në Tiranë

Gazeta serbe “Pink” shkruan se tifozët shqiptarë treguan sjellje të dhunshme për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e cila përfundoi në barazim pa gola (0-0), në stadiumin e Tiranës. Ky duel, pjesë e kualifikueseve për Kampionatin Botëror, pati jehonë përtej futbollit, duke u shndërruar në një provë tensioni, përmbajtjeje dhe vendimesh të diskutueshme arbitrale.
Sipas burimeve serbe, atmosfera në kryeqytetin shqiptar ishte tepër e elektrizuar, me raste ku situata dilte jashtë kontrollit. Mediat serbe theksojnë se disa prej futbollistëve të kombëtares serbe u goditën me objekte të hedhura nga tifozët në tribunë, duke shkaktuar ndërprerje të herëpashershme të lojës. Mediat në Serbi dënuan ashpër sjelljen e publikut dhe kritikuan gjyqtarin për mungesë reagimi ndaj incidenteve
Një prej portaleve më të mëdha serbe, shkruante se në bazë të rregullave të UEFA-s, arbitri duhej të urdhëronte evakuimin e tribunave ose të ndërpriste përfundimisht ndeshjen. Më tej, theksohej se nëse një situatë e tillë do të kishte ndodhur në Beograd, vazhdimi i ndeshjes do të ishte një version, që nuk do mendohej.
Gjithashtu media të tjera serbe e kanë pasqyruar të gjithë ndeshjen me termat “terror, skandal, po na sulmojnë lojtarët tanë” edhe pse diçka e tillë nuk ndodhi duke përjashtuar hedhjen e disa gotave plastike në drejtim të lojtarëve serb.
Gjestin e fëmijëve kur bënë me duar shqiponjën dykrenare, në mënyrë fëminore dhe të entuziazmuar, e kanë përshkruar kështu: “Sa urrejtje në Tiranë! Skandalet nuk mbarojnë kurrë… fëmijët treguan shqiponjën shqiptare gjatë këndimit të himnit tonë kombëtar, shikoni skenat e tmerrshme që i tmerruan të gjithë!
“FUTBOLLISTËT SERBË MEZI SHPËTOJNË JETËT E TYRE NË TIRANË: Një ndeshje skandaloze që duhej të NDALOHEJ! Gjorgje Petrović na solli një pikë kundër Shqipërisë”, është ky titulli i lajmit të përmbylljes së ndeshjes.
Ndërsa Blic shkruan: “Edhe pse nuk dukej se do të ishte kështu, veçanërisht kur shikon atmosferën para ndeshjes, skuadra e Dragan Stojkoviç i mbijetoi një ferri të vërtetë. Tre herë djemtë tanë u goditën në kokë, Davide Massa ndërpreu shkurt duelin, por ai nuk pati guximin t’u tregonte lojtarëve rrugën për në dhomën e zhveshjes. Le të mos flasim për skandalin para ndeshjes, kur fëmijët treguan një shqiponjë dykrenare në fushë”.
Por siç duket mediat serbe e kanë harruar dhunën që u shkaktua ndaj futbollistëve tanë 11 vite më parë në Beograd, çka solli ndërprerjen e ndeshjes dhe fitoren 0-3 në tavolinë për Shqipërinë.

