Connect with us

Kronike

“Drejton rrjet ndërkombëtar për trafikun e drogës”/ Brazili lëshon urdhër-arrest për Ervin Matën

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Federale (STF) në Brazil Alexandre de Moraes urdhëroi arrestimin e manjatit shqiptar të drogës, Ervin Mata, i akuzuar nga Prokuroria Publike e Shqipërisë për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Mediat braziliane shkruajnë se urdhëri u lëshua më 23 shtator, pasi qeveria shqiptare kërkoi ekstradimin e biznesmenit, i cili thuhet se ishte i arratisur në Brazil.

Sipas autoriteteve shqiptare, Mata besohet të jetë përgjegjës për tentativën e transportit të 69 kg kokainë nga São Paulo në Valencia të Spanjës, të fshehur në një ngarkesë me limona në Portin e Santos. Hetimet gjithashtu e lidhin Matën me aktivitete kriminale në Kolumbi dhe transportimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë, në shtator 2020. Pas këtij operacioni, ai thuhet se u largua nga Evropa dhe u vendos në Brazil.

Përveç trafikut të drogës, shtypi shqiptar pretendon se Mata ishte i përfshirë në financimin e vrasjeve dhe skemave të pastrimit të parave përmes kontratave hoteliere të lidhura me një spital publik në Tiranë, të regjistruar në emër të babait të tij. Sipas raportimeve, edhe nga distanca, ai vazhdoi të fitonte rreth 81 milionë lekë.

Në vendim, Moraes theksoi se arrestimi është i nevojshëm për të garantuar ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi.

“Paraburgimi është një kusht për pranueshmërinë e procesit të ekstradimit dhe synon të sigurojë ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi”, shkroi gjyqtari.

Ekzekutimi i urdhrit të arrestit duhet t’i komunikohet menjëherë Gjykatës së Lartë Federale, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë.

Advertisement