Sport
‘Duhet të kemi…’/ Trajneri i Çekisë: Shqipëria ka për të ‘na shqyer’
Trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy ka folur para ndeshjes që skuadra e tij luan në Tiranë kundër Shqipërisë. E enjtja e 12 tetorit në orën 20:45 gjen Kombëtaren kuqezi përballë çekëve, me ndeshjen që vlen për grupin E kualifikues të Euro 2024 dhe për tanët është një finale, duke qene se të besuarit e Sylvinhos mbajnë vendin e parë në grup.
-Çfarë po ndodh brenda grupit tuaj para ndeshjes së rëndësishme në Shqipëri? Jeni i emocionuar, nervoz apo i shqetësuar?
Kanë mbetur edhe pak ditë nga ndeshja, nervozizmi është normal, por ne e dimë sa e rëndësishme do të jetë ndeshja. E dimë që atmosfera atje do të jetë e stuhishme, ka pasur një interesim të madh për ndeshjen në Shqipëri, njerëzit atje janë me temperament. Nuk e mohoj që ambienti vendas do të jetë avantazh për kundërshtarin.
-A është e mundur të përgatitesh për një mjedis të ashpër?
Të gjithë lojtarët e dinë se çfarë është në lojë dhe çfarë i pret në Shqipëri. Duhet t’i bindim që janë të mirë, të fortë, me vetëbesim dhe duan të kenë sukses. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme. Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, do të na shqyjnë në Shqipëri.
-Çfarë të ka habitur më shumë kur analizon ndeshjen e parë me Shqipërinë? Çfarë do të duhet të ndryshoni?
U befasuam që patëm shumë humbje topi, sidomos në pjesën e parë. Pasime të këqija, topa të gjatë, ndërhyrje të humbura, pak lëvizje. Ishte shumë keq në pjesën e parë, kjo nuk mund të ndodhë me ne.
Disa aksione po zhvilloheshin mirë, ishim para pasimit përfundimtar, por këtu u ngatërruam. Kjo ka ndodhur rreth dhjetë herë, këtë nuk mund ta përsërisim për herë të dytë.
-Si kanë shkuar seancat stërvitore?
E marta është dita e vetme që mund të praktikojmë disa taktika. Të mërkurën do të jemi në Shqipëri dhe do të kemi një seancë stërvitore para ndeshjes.
-Presidenti i Federatës së Çekisë, Petr Fousek ju ka shprehur publikisht mbështetjen edhe para ndeshjes në Shqipëri. A ju qetëson kjo gjë?
Nëse ai nuk do të kishte besim tek ne, nuk do të ishte e këndshme. Por është një lajm pozitiv që ai beson te të gjithë ne, nuk ka të bëjë vetëm me mua. Është mirë që të gjithë ta perceptojnë atë.
Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.