Bota
“Duhet të kishe përfunduar si Ilaria Sula”/ Skandal në Itali, trajneri kërcënon arbitren

Një incident i rëndë ka ndodhur në Itali gjatë një ndeshjeje futbolli për moshat nën 17 vjeç mes ekipeve Sporting Terni dhe Sangemini Sport, ku trajneri i skuadrës vendase dyshohet se ka kërcënuar arbitren e takimit. Për atë që ka bërë, Ernesto Gallin është pezulluar deri më 31 dhjetor 2028, përveç gjobës me 500 euro që duhet t’i paguajë shtetit italian.
Kjo për shkak se ka kërcënuar arbitren e takimit, duke i përmendur shqiptaren Ilaria Sulën, e cila u vra nga ish i dashuri i saj. Sipas raportimeve nga mediat italiane, incidenti ndodhi gjatë pushimit mes pjesës së parë dhe të dytë, kur trajneri i Sporting Terni hyri në dhomat e zhveshjes dhe iu drejtua gjyqtares me tone agresive.
“Duhet të ishe vrarë kur ishe e vogël, duhet të përfundoje si Ilaria. Pikë! Duhet të nxirret thika edhe për ty,”-tha Gallin sipas mediave italiane.
Edhe pse iu kërkua që të dilte jashtë, Gallin filloi të ofendonte përsëri arbitren, duke përdorur fraza tallëse dhe duke simuluar lehjen e një qeni. Më fund, ai nxiti edhe prindërit e ekipit që përfaqësonte kundër saj. Jo vetëm kaq! Gjatë ndeshjes, ai hoqi këpucët dhe tentoi t’ja hidhte arbitres. Pastaj hoqi pantallonat dhe bluzen duke bërë gjeste të turpshme.
Incidenti ndodhi vetëm pak javë pas vrasjes së Ilaria Sulës, 23-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila u ekzekutua më 26 mars nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, shtetas me prejardhje filipinase. Autori e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore pranë Romës, ku u gjet pas disa ditësh kërkimesh. Samson u arrestua menjëherë dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

