Connect with us

Shkrime

Dumani i SPAK-ut, histori për shqiptarët dhe sëpatë për…

Nga Lorenc Vangjeli

SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve të akuzuar për tre vepra penale. Si e konsideroni këtë “mësymje të drejtësisë” kur është person i nivelit më të lartë politik i vënë para përgjegjësisë penale?

Në Shqipëri ka një inflacion të padurueshëm të fjalës “histori”, kur në fakt, në historinë e Shqipërisë, gjithë ky 30 vjeçar i jashtëzakonshëm i saj, në krahasim me tërësinë e saj, nuk është më shumë se një “paragraf” në të. E megjithatë, ajo çfarë ndodhi në javën e shkuar, pavarësisht emrave të përveçëm, është një ngjarje historike për vendin. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, që një personazh me profilin e Arben Ahmetajt të vihej nën akuzë zyrtare. Përtej tij dhe mbi të, janë vetëm tre personazhe të tjerë, Rama, Berisha e Meta. Akuza për Ahmetajn ishte trokitja në katin më të lartë të pushtetit dhe që nga ky moment, ndihmuar dhe nga “forca e rëndesës”, njerëzit e Dumanit e kanë shumë më të lehtë të zbresin në katet e poshtme të politikës. Sërish, përtej emrit të përveçëm, ajo ditë ishte dëshmia kur bashkëpunëtorët dhe kritikët e kryeministrit që pretendonin kapjen e SPAK-ut prej tij, do të duhet të heshtin. Të parët sepse shpresonin në magjinë e Ramës të gjithëpushtetshëm, që gjithashtu kishte pushtet edhe mbi SPAK-un dhe të dytët, në akuzat e tyre naïve se reforma në drejtësi ishte instrument në dorën e kryeministrit. Për dhembjen e të parëve dhe për naivitetin e të dytëve, tashmë mund të siglohet prova e parë domethënëse e pavarësisë së këtij pushteti nga dy pushtetet e tjera në Shqipëri. Tashmë, për habinë e të gjithëve, që si në fabulën e hershme me atë kafshën e urtë shtëpiake që lutej të ishte ëndërr pesha e luanit mbi kurrizin e tij, ata ndjejnë në shpinë jo vetëm peshën e fajeve të ditura apo të paditura deri më tani, por dhe një makth të vërtetë që ka një emër të përveçëm: Altin Dumani. Dumani dha provën e tij se do të jetë prishësi i gjumit të mëkatarëve. Dhe nga e hëna e javës së kaluar, mëkatarët e shumtë në Tiranë, nuk kanë më gjumë.

Mazhoranca vendosi të votojë pro kërkesës së Spak për arrestimim e tij. Është ky një standard i Ramës që nuk do bëhet mburojë e askujt të dyshuar nga radhët e tij, apo Ahmetaj ishte i “destinuar” të “shitej ” tek Spak, siç akuzon një pjesë e opozitës?

Ky është një problem shumë më i ndërlikuar sesa do të duhej të shihej thjesht bardh e zi. Bëri mirë apo keq maxhoranca që votoi pro kërkesës së SPAK-ut për t’i hapur rrugë arrestit të Ahmetajt. Eshtë dhe shumë më shumë se zbatim i një standarti të përcaktuar herët tashmë nga socialistët. Problemi këtu qëndron në detajin që bën diferencën. Stalinit i mjaftonte dikur vetëm dyshimi për të arrestuar dikë dhe për ta mbyllur në qeli në pritje për të provuar fajësinë e “viktimës”. Demokracia konsideron se dyshimi është gjithmonë në favor të të dyshuarit deri në momentin kur pretendimet për shkeljet e ligjit i vërteton gjykata me vendim të formës së prerë. Në rastin konkret, SPAK është në të drejtën e tij të kërkojë arrestin, por kuvendi do të duhej të ngrinte disa pyetje, të cilat burojnë nga kërkesat e kodit të procedurës penale: a është në gjendje i dyshuari të prishë provat, t’i shmanget hetimit, të intimidojë dëshmitarët e të tjerë. Dhe me të gjitha gjasat do të dilte në konkluzionin se në rastin Ahmetaj një gjë e tillë nuk kishte mundësi të ndodhte. Ahmetaj është për momentin, personazhi më vulnerabël në Tiranë dhe, i braktisur nga të gjithë miqtë sipas zakonit të hershëm shqiptar që e “urren” edhe mikun e rënë në fatkeqësi dhe target i preferuar i kundërshtarëve të tij, i kishte shanset zero të ndërhynte në hetim. Hapja rrugë e hetimeve në liri për Ahmetaj, arresti shtëpiak, për shembull dhe bllokimi i pasaportës do të ishin masat më të përshtatshme për të. Një anëtar parlamenti është i barabartë përpara ligjit me një qytetar të zakonshëm, por ai ka garanci të veçanta mbrojtjeje nga ligji. Dhe ato nuk i gëzon individi, por institucioni. Kuvendi këtë gjë duhet të bënte, të respektonte këto garanci. Por të gjithë së bashku, të frustruar nga presioni publik dhe llogaritë politike, vendosën ndryshe. Leksioni është dhenë dhe mësimi është marrë. Me gjasa, të gjitha palët e përfshira në këtë bast, do të mësojnë se ka të vërteta alternative dhe jo një të vërtetë të vetme dhe absolute. Vetë Ahmetaj, me largimin e tij, pavarësisht se bëri një akt të kuptueshëm nga pikëpamja njerëzore, duke refuzuar të luftojë ballë për ballë dhe duke zgjedhur ikjen, së paku moralisht e uli veten në të njëjtin panel me prokurorët e tij. Eshtë e lehtë të flitet në kurriz të sakrificës së tjetrit, por sakrifica e tij duke ndenjur në Tiranë do të ishte akt moral dhe një detyrim politik i plotësuar. Dhe një armë speciale për mbrojtjen e tij të nesërme.

Çështja e inceneratorëve deri më tani ka marrë një ish-zëvendëskryeministër, ish-ministër dhe deputet. A mendoni se të tjerë emra të rëndësishëm rrezikojnë prangat për këtë aferë të pretenduar nga prokuroria speciale?

Ky është keqkuptim i madh. Eshtë krijuar ideja se Ahmetaj është nën akuzë për inceneratorët. Në të vërtetë, pjesa kryesore e akuzës, thelbi i saj ka të bëjë me hetimin pasuror që i është bërë atij dhe njerëzve të lidhur me të. Dosja e inceneratorëve është shumë më komplekse sesa ky hetim. Për Ahmetajn, prokurorët, nisur nga indicije që kanë të bëjnë me personazhe të lidhur me inceneratorët, ndoqën paratë. Dhe ata janë të bindur se përtej rolit zyrtar të ish-zëvendëskryeministrit në këtë dosje, ai ka përfituar para prej tyre. Ndeshja mes këtyre të vërtetave relative, asaj që pretendon Ahmetaj dhe asaj që ka zyrtarizuar prokuroria, do të bëhet përpara gjykatës. As prokuria si palë dhe asaj Ahmetaj e mbrojtësit e tij si palë të barabarta në gjykim, nuk e kanë monopolin e të vërtetës.

Edhe pse çdo qeveri do tronditej nga kjo ngjarje nga protesta masive, përse nuk po ndodh në rastin konkret? Kujtojmë që opozita nuk ka planifikuar asnjë protestë, a tregon kjo edhe dobësimin e rëndë dhe pabesueshmërinë e thellë ndaj opozitës?

Dalëngadalë, por me vendosmëri, në Tiranë është shfaqur përfundimisht një aktor i ri. Klienti i dikurshëm i politikës, shërbëtori i saj i luksit, noteri dhe infermieri i politikës, sistemi gjyqësor, tashmë po shfaqet si pushtet i pavarur. Dhe kjo është dhurata më e madhe që i bëhet shqiptarëve, që shohin sesi ky pushtet i tretë, do të kontrollojë dhe ekuilibrojë dy pushtetet e tjera, që janë nën të njëjtën sigël partiake. Paralelisht me këtë zhvillim epokal, opozita, një pushtet i jashtëzakonshëm në sistemin demokratik, ka humbur rolin dhe funksionin e saj natyral. Ka një pafundësi arsyesh se pse ka ndodhur kështu, por njëri nga ta është kryesori: opozita ka humbur pushtetin e saj moral. Pa këtë pushtet, ajo nuk mund të shihet si alternativë e pushtetit. Ndaj është e pafuqishme dhe e paaftë të trashë zërin, njëlloj si eunukët e haremeve orientale të dikurshme. Opozita e sheh me sy ngrehinën madhështore të qeverisjes, por plas me zemër sepse nuk ka asnjë shans ta prekë atë.

Skandalet dhe aferat ndodhin. Ish ministra, kryebashkiakë, zyrtarë të nivelit të lartë janë nën akuzë ose të dënuar për korrupsion e shpërdorim detyre dhe s’ka reagim qytetar në protesta. Përse kjo apati? A jemi para situatës që cfarëdo të ndodhë në skandale të shumta qeverisja s’do cënohet për shkak të opozitës së dobët?

Humbja më e madhe është deligjitimimi i gjithë klasës politike. Me të gjitha gjasat, nëntë shqiptarë në dhjetë besojnë se e gjithë klasa politike në vend është e korruptuar dhe i dhjeti ndër ta, do të thoshte se nuk e kishte idenë. Vetë personazhet më domethënës të politikës, me artikulimin e pafundmë të akuzave me njëri-tjetrin, me legjitimimin e shpifjes, gënjeshtrës apo gjysmë të vërtetave, e kanë zhytyr në pikën fundore integritetin moral të klasës politike. Deri dje, mosratifikimi i këtyre akuzave në gjykatë apo dhe piruetat sipas kohës, takatit dhe ineresit të qëndrimeve të tyre, kanë krijuar kënetën e sotme të mosbesimit. Në të gjithë këtë situatë që mund të ndryshojë vetëm nëpërmjet votës, drejtësia, SPAK-u veçanërisht, po sillet si ndërhyrja me operacion për të larguar tumorët e shumtë. Më pas, sipas rastit, në rastet më të lehta mund të funksionojë edhe kimioterapia. E meqënëse modës së rimimit të fjalëve, nuk i ka shpëtuar as vetë SPAK-u, – “SKAP-i i partisë” e quan zoti Berisha – ja vlen të kujtohet se SPAK-u është sëpata që do të presë shumë gjymtyrë të liga. Por edhe kaq nuk është e mjaftë, sepse ka një të vërtetë aksiomatike: drejtësia nuk mund të reformojë politikën. Politika reformohet vetëm me mjete politike. E kundërta, do të ishte vërtet fatalitet. Nëse do të ishte kështu, vetëm Perëndia do t’i bënte derman fatit të shqiptarëve për një kohë të gjatë.

Advertisement