Bota
Dy gafa njëra pas tjetrës/ Biden ngatërron Kamala Harris me Donald Trump dhe Zelenksyn me Putin
Presidenti Joe Biden përdori konferencën e tij të shumëpritur për shtypin të enjten për të mbrojtur politikat të tij të jashtme dhe të brendshme dhe hodhi poshtë shqetësimet lidhur me aftësinë e tij për të shërbyer edhe katër vjet të tjera, edhe pse në një nga përgjigjet e tij të para, ai ngatërroi emrin e nënpresidentes Kamala Harris me atë të rivalit të tij Donald Trump.
“Unë nuk jam në garë për të ruajtur trashëgiminë time. Unë po vazhdoj garën për të përfunduar punën që kam filluar”, tha Biden, ndërsa këmbënguli se mbështetja e tij mes votuesve është e fortë dhe se ai do të qëndronte në garë dhe do të fitonte.
Presidenti Biden i bëri këto komente në konferencën për shtypin pas takimit me udhëheqësit e vendeve të NATO-s në Uashington, ku më parë ai e ngatërroi emrin e Presidentit ukrainas Zelenski me atë të Presidentit rus Putin. Ai e kapi gabimin dhe e korrigjoi veten, ndërsa ftoi Presidentin Ukrainas të fliste në konferencën për shtypin.
Pavarësisht ngatërresave me emrat, presidenti Biden hodhi poshtë çdo sugjerim që po ngadalësohej apo se po tregonte shenja të dukshme rënieje dhe se ai nuk ishte në gjendje të bënte punën e Presidentit. Por ai po përballet me një numër në rritje të thirrjeve nga ligjvënës demokratë për t’u larguar nga gara presidenciale.
“Orari im ka qenë i ngjeshur”, deklaroi ai. “Pra, nëse ngadalësoj shpejtësinë dhe nuk mund ta kryej punën, kjo është një shenjë se nuk duhet ta bëjë këtë (të garojë për president). Por nuk ka ende asnjë tregues për këtë, asnjë”, tha ai.