Aktualitet
Dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në anije, mbi 20 fëmijë përfundojnë në spitalin e Vlorës, flasin mjekët
Mbi 20 turistë kanë mbërritur në spitalin e Vlorës. Mësohet se turistët janë fëmijë rreth moshës 15 vjeç, të gjithë nga Polonia.
Nga informacionet paraprake të siguruara për BalkanWeb nga gazetari Enrik Mehmeti, dyshohet se ata janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar gjatë turit me një anije turistike.
Mjekët bëjnë me dije se fëmijët janë nisur me autobus nga qyteti i Shkodrës, dhe pasi kanë mbërritur në Vlorë kanë udhëtuar me një anije turistike. Sipas tyre pritet përgjigjja e analizave për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një helmim si pasojë e konsumimit të ndonjë ushqimi apo nga ekspozimi i gjatë në diell.
Sakaq, 6 prej tyre ndodhen në repartin e pediatrisë, ndërsa të gjitha janë në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.