Connect with us

Kronike

Dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit, gruaja e Roan Brahimit pritet të merret në pyetje nga hetuesit

Dy atentatet e ndodhura mbrëmjen e djeshme në Lezhë dhe Tiranë kanë tronditur vendin. Në Lezhë u ekzekutua me armë zjarri, Gjovalin Prendi, 65-vjeç, babai i Sidorel Prendit të njohur më shumë si Roan Brahimi. Rreth një orë pas Lezhës, në Tiranë, në zonën e Lundrës, tre të rinj dhe shoferi i tyre, u plagosën pasi persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash automjetin e tyre tip “G-Class”.

Automjeti i të rinjve dyshohet se nuk ka qenë shënjestra e atentatit. Ka dyshime se autorët e plagosjes në Tiranë kanë ngatërruar makinën e tre të plagosurve në Lundër me automjetin e gruas së Roan Brahimit.

Edhe ajo lëvizte me makinë tip “G-Class” dhe jetonte në të njëjtin kompleks vilash në Lundër, ku jetonin të rinjtë e plagosur. Automjeti i saj ka vetëm një shkronjë dhe një numër të ndryshëm nga makina që u qëllua mbrëmjen e djeshme. Bëhet me dije se gruaja e Roan Brahimit ndodhet sot në zonën e Lezhës, ku po merr pjesë në varrimin e vjehrrit të saj. Pas kësaj, ajo pritet të merret në pyetje nga policia lidhur me atentatin e Tiranës.

Atentati në Tiranë

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri me armë zjarri drejt një automjeti tip “G-Class”. Në këtë automjet ndodhenin katër persona, Arenc Stafa 34-vjeç, Kian Mullahi 19-vjeç, dhe dy të miturit Dior Demiraj 11 dhe Marko Demiraj 17-vjeç.  Pas ngjarjes së rëndë hetuesit kanë marrë dëshmitë e të plagosurve, të cilët, ende të tronditur janë shprehur se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr.  Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt. Sipas informacioneve, tre të rinjtë, shokë me njëri-tjetrin, kishin dalë për të festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit dhe po kthehenin në shtëpi me shoferin Arenc Stafa.  Të shtënat me armë drejt tyre dhe ndjekja nga autorë ka filluar nga rrethrrotullimi i Shkozës përgjatë autostradës deri te TEG dhe më pas shoferi i “G-Class”-it për t’iu shmangur atentatorëve kanë shkuar drejt Lundrës.

Si pasojë e të shtënave të shumta më armë nuk i mbanin frenat dhe janë përplasur në vendin ku u gjet makina mbrëmë. Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, bëhet me dije se shoferi, 34-vjeçari Arenc Stafa dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dy të plagosurit e tjerë të mitur, Marko Demiraj, 17 vjeç, ndodhet në gjendje stabël, ndërsa 11-vjeçari Dior Demiraj ndodhet në gjendje më të rëndë. 17-vjeçari dhe 19-vjeçari pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës janë dërguar në spital privat.  Bëhet me dije se familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orë pas ngjarjes. Hetuesit ende nuk kanë një pistë konkrete për këtë ngjarje të rëndë, por dyshohet që autorët mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër pa e ditur se cilat persona po udhëtonin brenda në atomjetin “G-Class” që e kishin nën shënjestrën e tyre.

Advertisement