Connect with us

Kosova

Ecja drejt Asociacionit, Lajçak sheh progres drejt rrugës së normalizimit

Miroslav Lajçak duket më i kënaqur këto ditë. Emisari europian vlerëson se së fundmi ka progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas disa lëvizjeve pozitive për targat e automjeteve, zgjedhjeve të reja në veri dhe çështjes së energjisë elektrike. Formimi i Asociacionit, vazhdon të konsiderohet urgjente nga ndërkombëtarët, të cilët presin që kryeministri Albin Kurti përmes kësaj rruge të zbatimit të mbërrijë deri atje.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe konsiderohet çështja kryesore për t’u zbatuar, ndërkohë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është intensifikuar. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq shumë shpejt do t’i kthehen angazhimit në bisedime.

I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak tha se këto ditë ka pasur “një sërë diskutimesh dhe angazhimesh të hollësishme”, duke përmendur diskutimin me anëtarët e Bundestagut gjerman, të cilët tha se i ka njoftuar për “hapat e ardhshëm”.

Lajçak të premten u takua edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, me të cilin tha se planifikuan hapat e radhës në dialog.

Lajçak gjithashtu bëri thirrje të mos humbet kohe për zbatimin e obligimeve nga dialogu për të mos e humbur rastin, siç tha ai, për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Për ndërkombëtarët, ka një urgjencë që gjërat të lëvizin shpejt, ndërsa në Kosovë ka shumë pyetje.

 

 

Advertisement