Politike
‘Edi Rama një ‘zombie’ i lodhur pa ide dhe pa vizion, kafshon për të ruajtur pushtetin personal’
Agim Nesho kritikoi mënyrën se si u menaxhua konferenca e ambasadorëve 2025, duke e cilësuar atë si një mundësi të humbur nga qeveria shqiptare. Sipas Neshos, konferenca që në çdo vend perëndimor shërben për të prezantuar programet dhe prioritetet strategjike të shtetit, në Shqipëri u reduktua në një retorikë boshe të kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se kreu i qeverisë u shfaq i lodhur, pa vizion dhe pa asnjë ide konkrete për zhvillimet gjeopolitike në Ballkan apo për marrëdhëniet me shtetet fqinj.
“Rama është kthyer në një ‘zombie’ të politikës shqiptare, i cili më shumë kafshon për të mbajtur regjimin e tij sesa prodhon politikë. Kostoja e kësaj është Shqipëria,” u shpreh Nesho.
Diplomati shtoi se kryeministri nuk shpjegoi asnjë qëndrim të qeverisë mbi çështjet kyçe që prekin vendin, duke lënë bosh një forum të rëndësishëm si ai i trupit diplomatik, që sipas tij meriton respekt dhe seriozitet maksimal.
Nesho paralajmëroi se qasja e tillë tregon mungesën e vizionit të qeverisë aktuale dhe rrezikon të izolojë më tej Shqipërinë në skenën ndërkombëtare.
Nesho:
Në fakt konferenca e ambasadorëve një traditë që zhvillohet edhe në vendin tonë, është një traditë që në të gjitha demokracitë perëndimore edhe më gjerë, edhe në vendet e tjera, shfrytëzohet nga qeveria për të shpalosur programet e saj qeverisëse, sigurisht këto të realizuara nga një institucion i pavarur që i shërben shtetit shqiptar në rastin tonë ashtu si edhe shteteve të tjera.
Ishte një mundësi e humbur e zotit Rama, pamë një kryeministër të lodhur, pa vizion.
Dua të them, është kthyer tashmë në një zombie i politikës shqiptare, i cili më tepër kafshon për të mbajtur regjimin e tij sesa prodhon politikë, por këto sigurisht me një kosto, dhe kostoja është Shqipëria.
Dua të theksoj se një nga gjërat që më bëri përshtypje ishte se nuk elaboroi asnjë ide. Zakonisht kryeministri i një vendi, duhet të shpjegojë përpara trupit diplomatik se cili është pozicioni për zhvillimet gjeopolitike të vendit, si është situata në rajonin e Ballkanit, nga janë ato goditjet për të destabilizuar rajonin ose për të hequr paqen, kush janë mënyrat që bota sot po shket nga funksionimi i shtetit ligjor dhe demokracive, cilat janë marrëdhëniet kryesore me shtetet fqinj?
Të gjitha këto u lanë pa prekur, në një diskutim, një retorikë boshe që zoti Rama shpeshherë, kur nuk ka asnjë ide për të thënë, prezantohet në një mënyrë tepër të vakët sidomos përpara një trupi diplomatik që duhet respektuar si nga formimi ashtu dhe nga detyra që ka.