Sport
Edon Zhegrova, Juventusi i trembet një rasti ‘Marko Pjaca 2.0’
Edon Zhegrova duket se ka filluar të shqetësojë seriozisht Juventus-in. Në Torino po ngrihen gjithnjë e më shpesh paralele me rastin e Marko Pjaca-s, një investim i madh që u shndërrua në zhgënjim për shkak të problemeve fizike.
Ashtu si kroati dikur, Zhegrova mbërriti me reputacion të lartë, por realiteti deri tani ka qenë larg pritshmërive.
26-vjeçari u ble nga Lille për 15.5 milionë euro, shifër që me bonuset mund të arrijë deri në 18–20 milionë, pavarësisht se në sezonin e tij të fundit në Francë kishte qëndruar për disa muaj jashtë fushave.
Edhe pse këtë sezon ka humbur pak ndeshje për shkak dëmtimesh, problemi kryesor mbetet forma jo optimale.
Në Itali raportohet se Zhegrova është vetëm në rreth 75% të gjendjes fizike, çka shpjegon pse nuk ka fituar besimin e trajnerit as kur rivalë direktë si Francisco Conceiçao kanë qenë jashtë.
Statistikat janë domethënëse: nga 27 ndeshje totale të Juventus-it këtë sezon (Serie A, Champions League dhe Kupë), Zhegrova ka luajtur vetëm në 14 prej tyre, me gjithsej 278 minuta. Ai ka qenë titullar vetëm një herë, ndaj Pafos-it në Champions League, duke u zëvendësuar në pushimin mes pjesëve. Bilanci: asnjë gol dhe asnjë asist.
Krahasimi me Pjaca-n është i pashmangshëm.
Kroati, i blerë për rreth 30 milionë euro, u shndërrua në një makth për bardhezinjtë, duke regjistruar vetëm 21 paraqitje dhe një gol, ndërsa humbi mbi 110 ndeshje për shkak dëmtimesh gjatë karrierës së tij mes klubit (duke përfshirë edhe ato ku u huazua) dhe kombëtares.
Në Torino tashmë shtrohet pyetja: a po shkon Edon Zhegrova drejt të njëjtit fat, apo ka ende kohë për të ndryshuar rrjedhën e historisë?