Connect with us

Kronike

Ekzekutimi i Erion Çelës, autorët ngatërruan objektiv

Pasditja e 4 janarit të këtij viti, ishte e fundit për Erion Çelën. 35-vjeçari po pinte kafen e pasdites nën shoqërinë e vëllai të tij dhe disa të afërmve, ku breshëritë e kallashnikovit e lanë të vdekur në vend në një lokal në zonën e Don Boskos në Tiranë. Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në këmbë dhe në fytyrë. Dy personat e tjerë të plagosur ishin Arben Dani, 46 vjeç, i dëmtuar në këmbë, dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç, i dëmtuar në shpatull. I plagosur në bark dhe këmbë ka mbetur edhe Edmond Crroj, 41 vjeç. Pasi kanë qëlluar, atentatorët, janë larguar me një makinë tip Mercedes Benz me targa AA 125 UK. Sot kur kanë kaluar 9 muaj që nga ajo ngjarje, policia njofton se Erion Çela nuk kishte bërë asnjë faj dhe se autorët kishin ngatërruar objektiv duke qëlluar ndaj disa personave që nuk kishin lidhje me problemet e tyre.

Sot pas një aksioni të madh që çoi në arrestimin e 14 personave, policia njofton se dy vëllezërit, Gentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirian Feçi., për llogari të shtetasit Kasandë Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit Arben Mërkuri, në qytetin e Durrësit.

Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.

Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit Gentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A.Çela. alias Erion Çela dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevin Zeneli alias Kevin Suçi i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, Indrit dhe Gentian Beqiraj për t’u larguar jashtë shtetit.

Advertisement