Bota
ELON MUSK TALLET ME BORDIN E PAQES
Elon Musk, drejtuesi i platformës X, ka kritikuar ashpër Bordin e Paqes të sapo shpallur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke e shoqëruar reagimin e tij me ironi dhe batuta gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Musk e nisi ndërhyrjen e tij me një lojë fjalësh mes termave “pjesë” dhe “paqe”, duke ngritur dyshime mbi qëllimin real të nismës. “Dëgjova për formimin e samitit të paqes dhe mendova: a është për paqe apo për pushtim?”, tha ai, duke shkaktuar reagime në sallë. Më tej shtoi me ironi: “E dini, një copë e vogël e Groenlandës, një copë e vogël e Venezuelës”.
Deklaratat e Musk erdhën në të njëjtën ditë kur Donald Trump, po në Davos, nënshkroi zyrtarisht kartën e Bordit të Paqes, duke e formalizuar këtë strukturë si pjesë të fazës së dytë të planit të tij 20-pikësh, i prezantuar në shtator. Sipas Shtëpisë së Bardhë, nisma synon të kontribuojë në dhënien fund të luftës në Gaza.
Ndër vendet e para që iu bashkuan publikisht Bordit të Paqes ishin Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani, Maroku dhe Vietnami.
Nga ana tjetër, Franca ishte ndër shtetet e fundit që e hodhën poshtë ofertën, duke deklaruar të enjten se statuti i bordit nuk përputhet me rezolutat e Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit në Gaza.
Komentet e Musk kanë ndezur debate të reja rreth rolit dhe legjitimitetit të Bordit të Paqes, në një kohë kur tensionet gjeopolitike mbeten të larta dhe vëmendja ndërkombëtare është e përqendruar te zhvillimet në Lindjen e Mesme.