Aktualitet
Emigracioni dhe plani për gjyqësorin/ Ambasada zbardh detajet nga vizita e Cameron në Tiranë
Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar në lidhje me vizitën e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Shqipëri më 22 Maj.
Përmes një njoftimi, ambasada britanike bën me dije se në fokus të vizitës do të jenë diskutimet për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.
Gjithashtu, Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Britanisë për Policinë Shqiptare.
Shefi i diplomacisë britanike do të takohet me kryeministrin Edi Rama, Presidentin e Republikës Bajram Begaj dhe ministrn për Punët e Jashtme dhe Europën, Igli Hasani.
“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.
Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.
Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.