Aktualitet
EMRI/ Ryshfet në këmbim të një vendi pune, SPAK çon për gjykim zyrtarin e bashkisë
SPAK njoftoi ditën e sotme se ka dërguar për gjykim një zyrtar të Bashkisë së Tiranës, i akuzuar për korrupsion. Bëhet fjalë për Erjon Buçukun me detyrë përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Buçuku mori 1 milion lekë të vjetra për të punësuar Gerald Bregun, si roje të shkollës 9 vjeçare “Ardian Klosi”.
“Është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erjon Buçuku… ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100.000 lekë, për të punësuar shtetasin Geraldi Bregu, si roje e shkollës 9-vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë, si dhe i ka kërkuar përfitim të parregullt shtetasit Geraldi Bregu në vlerën monetare prej 150.000 lekë, për të punësuar të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno” Tiranë, por shtetasi Geraldi Bregu nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare,” citohet në njoftim.
Buçuku është i disati zyrtar i akuzuar nga SPAK së fundmi për akuza të ngjashme. Më 17 korrik, u kërkua gjykimi i sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, si dhe të tre personave të tjerë të akuzuar për korrupsion në një tender.