Connect with us

Kronike

EMRI/ Zhdukja e Sulovarit dhe Theodhorit në Sarandë, policia arreston të riun

Një ngjarje kriminale është parandaluar në Fier. Albi Mecini është arrestuar ditën e sotme nga policia, pasi u kap me 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, me të cilën do kryente një ngjarje të rëndë si dhe dy bidona me benzinë. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim Arafat Manërkolli, Ervis Cukali dhe Sebastian Lataj, si persona që kanë ndihmuar të riun. Gjithashtu është zbardhur dhe zhdukja e dy personave nga Saranda Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori. Policia dyshon se 29-vjeçari Mecini është autori i zhdukjes së këtyre personave.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Finalizohet megaoperacioni policor i koduar “MISTERI”. Policia parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale. Me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse. 29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve L. Th. dhe F. S., të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023. Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.  Në kuadër të këtij megaoperacioni, në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapën në flagrancë shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Kamzë, me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë.

Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi. Gjithashtu, nga kontrolli i zonës ku u kap shtetasi A. M., u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” . Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste.

 Kush janë dy personat e zhdukur?

1. Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMë” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Advertisement