Bota
Erdogan vjen me një propozim: Turqia dhe Libani duhet të veprojnë së bashku për Sirinë
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se Turqia e Libani duhet të punojnë së bashku për Sirinë, pas përmbysjes surprizë të qeverisë së Bashar al-Assad nga rebelët islamistë.
“Në Siri ka nisur tashmë një epokë e re. Prandaj ne jemi dakord se duhet të punojmë së bashku si fqinj të rëndësishëm të Sirisë”, tha Erdogan në konferencën e shtypit përkrah kryeministrit libanez Najib Mikati.
“Stabiliteti i Sirisë do të thotë stabilitet për të gjithë rajonin,” shtoi turku duke u zotuar se “rindërtimi i vendit të shkatërruar nga lufta duhet të jetë prioriteti i tyre”.
Turqia dhe Libani kanë numra të mëdhenj refugjatësh sirianë që prej nisjes së konfliktit 12 vjet më parë në Siri.
Erdogan tha më tej për rindërtimin e Sirisë: “Kjo është një periudhë kritike ku ne duhet të veprojmë me unitet, solidaritet dhe afrim të ndërsjelltë”.
Bashar al Assad është larguar në Rusi pas ofensivës surprizë nga grupet islamiste të drejtuara nga Islamist Hayat Tahrir al-Sham që nga veriu morën kontrollin e qyteteve njeri pas tjetrit thuajse pa rezistencë në fillim të muajit.
Rrëzimi i pushtetit të Assad soli celebrime në Siri dhe vende të tjera ku strehohen refugjatët e luftës mizore, teksa shumë vende kërkojnë tashmë kthimin e refugjatëve që kanë mirepritur prej më shumë se 12 vjetësh, shkruan rrjeti AFP.
Ndryshimi i shpejtë i pushtetit në Siri ka sjellë reagime të perziera dhe paqartësi, teksa megjithëse Turqia e SHBA janë përmendur si financuese e grupeve përkatëse rebele, Donald Trump e quajti rebelimin “marrje jo-miqësore e pushtetit”.