Politike
Është plakur këto 10 ditë sa për 10 vite/ Hasimja për Ramën: Është nën presion
Analisti Ermal Hasimja ka vënë në dyshim nëse tensioni i kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së sotme për shtyp është rezultat i presionit nga brenda Partisë Socialiste apo nga ndërkombëtarët.
I ftuar në emisionin në News24, Hasimja u shpreh se ndërprerja e konferencës ishte një veprim i pazakontë për stilin e zakonshëm të kryeministrit.
Sipas analistit, Rama nuk është një politikan fillestar dhe e njeh mirë debatin publik, por fakti që vendosi të ndërpresë konferencën është një sinjal i qartë i presionit që po përjeton.
“Është plakur këto 10 ditë sa për 10 vite. Ai nuk është politikan fillestar, e di shumë mirë që të hysh në debate të tilla, por të ndërpresësh konferencën. Më parë reagonte me humor dhe ironi por ndërprerja nuk kishte ndodhur më parë. Ka trysni të jashtëzakonshme nga opinioni ndërkombëtar”, u shpreh Hasimja.
Ai shtoi se përveç presionit nga jashtë, mund të ketë edhe shqetësime brenda vetë mazhorancës.
“Kam përshtypjen se mund të jetë shqetësuar edhe nga ndonjë lloj desidence e brendshme. Të gjitha këto bëjnë që të jetë në një situatë të vështirë”, tha analisti.
Hasimja ngriti gjithashtu dyshime për qëndrimin e qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë, duke theksuar se ndërsa deklarohet mbështetje për reformën në drejtësi, nga ana tjetër po ndërmerren nisma ligjore që sipas tij e bllokojnë atë.
Sipas tij, kryeministri tashmë e ka kuptuar se është vendosur në një pozicion të vështirë politik, ku nga opozita po etiketohet si bllokues i procesit të integrimit europian.
“Thotë e mbështesim drejtësinë por nga ana tjetër po e bllokon atë edhe me nisma ligjore. Rama ka kuptuar që tani duhet të pozicionohet, i është imponuar pozicioni si bllokues i integrimit që e ka pasur kartë në zgjedhjet e fundit. Dhe është e vetmja kartë që i ka mbetur”, tha Hasimja.