Connect with us

Politike

Eshtë skandaloze/ Edi Rama tashmë nuk pyet më, ai ka pushtet të bëjë çfarë të dojë

Albana Vokshi

Pjesë nga deklarata:

Për Bashkinë e Tiranës, Presidenti, i bazuar në Kushtetutë dhe si kreu i institucionit që duhet të jetë garant i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duhej të kishte pritur vendimin e saj. Thjesht duhej të zbatonte Kushtetutën. Ndërkohë, është absurde dhe e pakonceptueshme se si një President mund të shkelë në mënyrë flagrante Kushtetutën, siç ndodhi sot. Një veprim i tillë nuk mund të imagjinohet as në vende të tjera të rajonit. Shkojmë në Kosovë, ku Gjykata Kushtetuese merr vendime të pavarura – pëlqejnë ose jo qeverisë por megjithatë Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, i ka zbatuar edhe kur nuk i ka pëlqyer.

Mund të mos i pëlqente Ramës vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por tashmë jemi mësuar që Rama nuk i zbaton vendimet e saj. Si në rastin e Olta Xhaçkës: pavarësisht se erdhi edhe një opinion dhe u kërkua një investigim nga Komisioni i Venecias, ky Komision tha se duhen zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por këta jo vetëm që nuk i zbatojnë, por Rama propozon dhe emëron në delegacionin e Këshillit të Europës persona, kur një nga komisionet është pikërisht ai i Venecias. Pavarësisht se ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, ai e emëroi Xhaçkën kryetare të delegacionit dhe madje e propozoi për nënkryetare. Imagjinoni çfarë skandali!

Rama tashmë nuk pyet më; ai mendon se ka pushtet të bëjë çfarë të dojë. Mund të sfidojë edhe institucionet europiane, edhe Këshillin e Europës, edhe Parlamentin Europian, dhe të veprojë sipas qejfit. Presidenti mund të kishte pritur; do të ishte në nderin e tij të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj të vijonte procedurat, ashtu siç duhet.

Është skandaloze ajo që po ndodh. Jam e keqardhur që Presidenti ka arritur në këtë nivel, duke firmosur çdo gjë që i kërkon Rama. Me pak respekt dhe dinjitet, ai duhej të përpiqej të ruante institucionin e Presidencës, jo veten e tij, në mënyrë që të respektohej. Sot është ulur në nivelin zero. Më duket një nga veprimet më absurde që ka bërë Presidenti deri tani.

Për zgjedhjet, ç’të flasim?

Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira. Siç ndodhi më 11 maj, nuk ka zgjedhje kur është Edi Rama. Këtu në Këshillin e Europës është sesioni i vjeshtës, ku jam së bashku me Berishën, i cili ka raportuar për zgjedhjet në Shqipëri, për situatën pas tyre dhe për rrëmbimin e të gjitha institucioneve nga Rama. Sot vërtetohet edhe një herë që edhe institucioni i Presidentit është 100% i kontrolluar. Berisha ka raportuar gjithashtu për ndërhyrjen, infiltrimin dhe ndikimin e bandave dhe karteleve të drogës në zgjedhjet e 11 majit.

Sepse e vërteta është se Shqipëria nuk pati zgjedhje, por problematika më e madhe jo vetëm për Shqipërinë është që Rama ka forcuar edhe më shumë kartelet e drogës dhe bandat kriminale, të cilat po pastrojnë në vendin tonë jo vetëm paratë e krimit dhe drogës shqiptare, por edhe të krimit të organizuar ndërkombëtar. Rama është kthyer në një rrezik ndërkombëtar. Për çfarë zgjedhjesh të flasim ne, kur janë bandat që kanë zgjedhur në Parlament mbi 20-25 deputetë, të cilët nuk u flasin qytetarëve në Parlament, por u shërbejnë bandave.

Advertisement