Connect with us

Lifestyle

Eskallop me Birrë – Receta e veçantë me mish viçi

Vetë fjala ‘eskallop’ e ka origjinën në Francë dhe u fut në terminologjinë e kulinarisë në shekullin e 17-të.

Domethënia e kësaj fjale është mish i hollë i mbështjellë me krem dhe i gatuar mirë.

E lehtë, e shpejtë dhe e gjithanshme, kjo pjatë mund të kombinohet mjaft mirë me një sërë ushqimesh siç janë brokoli, kërpudhat, patatet, pureja e patateve ose sallata të ndryshme.

Veçantia e kësaj recete qëndron në faktin se në vend të verës këtë herë biftekun e viçit e shuajmë me birrë, e cila do t’i japë një aromë fantastike.

Kjo recetë është shumë e shijshme dhe mund të serviret jo vetëm në drekë por edhe në mbrëmje.

NTV.AL  ju fton të zbuloni më poshtë mënyrën e përgatitjes së kësaj recete.

Përbërësit

  • 6 feta biftek viçi
  • 60 g birrë
  • 3 degëza trumëze
  • 40 g gjalpë
  • 30 g vaj ulliri
  • Kripë dhe piper i zi për shije

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë, fillimisht rrihni fetat e mishit me një çekiç nga qendra në drejtim të skajeve.

Në këtë mënyrë trashësia e mishit do të ulet.

Në një tigan të bollshëm shkrini gjalpin bashkë me vajin e ullirit dhe shtoni degëzat e trumzës.

Ndërkohë lyeni mishin me miell nga të dyja anët dhe vendoseni në tigan.

Gatuajeni për 3-4 minuta në zjarr mesatar deri në të lartë, e më pas kthejini fetat nga ana tjetër.

Në këtë moment, hidhni birrën dhe gatuajeni edhe për 2-3 minuta të tjera, derisa kremi të trashet.

Në fund shtoni kripë dhe piper dhe shërbejeni ende të ngrohtë.

Këshilla

Nëse dëshironi, në vend të mishit të viçit mund të përdorni mish pule.

Duhet të dini se aroma mund të ndryshojë në varësi të llojit të birrës që do të përdorni.

Këshillohet që t’a konsumoni këtë pjatë menjëherë por nëse dëshironi mund t’a ruani në frigorifer nga 1 deri në 2 ditë.

Advertisement