Aktualitet
Fadromat ‘zbarkojnë’ në Orikum/ Pronarja përplaset me IKMT: Nuk na njoftuan, jam në gjyq me Kadastrën

Njësitë e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur një aksion në Orikum, për shembjen e dy objekteve që nuk janë të pajisura me leje ndërtimi.
Aksioni ka nisur tek një restorant dhe 10 dhoma pushimi në pronësi të Emanuela Xhanajt, e cila ngre shqetësimin se në muajin janar, pas një akti konstatimi, biznesi i saj është skualifikuar nga procesi i legalizimit.
Pas kësaj, Emanuela Xhanaj tregon se ka nisur një proces gjyqësor me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), proces i cili është ende në vijim dhe pa një vendim gjykate. Për rrjedhojë, ajo e konsideron aksionin për prishjen e objekteve si të padrejtë.
Pronarja e këtyre bizneseve tregon se IKMT nuk e ka lajmëruar për aksionin që do të zhvillohej, gjë që shkaktoi përplasje mes palëve, aq sa u kërkua ndërhyrja e policisë.

