Connect with us

Rajon

Fasulja një luks…/ Kriza kaplon Maqedoninë e Veriut

MAQEDONIA E VERIUT- Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ditën e djeshme një paketë anti-krizë me në fokus përballimin e krizës energjetike dhe rritjen e çmimeve, në një vlerë 350 milionë euro. Kjo është hera e dytë që qeveria ndërmerr një paketë ndihme pas asaj të 15 qershorit e cila nuk arriti të ndalte rritjen e çmimeve të disa nga produkteve të shportës. Në një kronikë të zhvilluar nga Klan Macedonia, në disa prej tregjeve kryesore në Shkup shihet se çmimi i fasuleve, i cili konsiderohet si një ndër ushqimet më të konsumuara në tryezat e maqedonasve, ka pësuar një rritje të konsiderueshme të çmimit. Një shitës thotë se aktualisht çmimi i një kg mish është 400 denarë ose 6,49 euro, ndërkohë që çmimi i fasules arrin thuajse të njëjtin çmim si të mishit edhe në tregjet e gjelbërta të qytetit të Tetovës dhe Shkupit.

Nuk mbjellin groshë, thashë më herët, të rinjtë kanë ikur, kanë mbetur vetëm pleqtë, groshë blejnë vetem ata që kanë para, ata që nuk kanë nuk e blejnë”, deklaroi një shitës i fasules.

Ulja e sipërfaqeve bujqësore për kultivimin e fasules, me vite paraqet një trend negativ. Bujqit thonë se për shkak të ndryshimeve klimatike, kryesisht thatësirës, nga viti në vit zvogëlohen rendimentet e groshës. Në këtë trend negativ ka ndikuar edhe rritja e cmimeve të preparateve bujqësore që ka detyruar shumë bujq që të heqin dorë nga mbjellja e groshës.

Gjithashtu përpos fasules një rritje të konsiderueshme ka pësuar edhe çmimi i specave, të cilët në këtë periudhë një pjesë e mirë e qytetarëve i përgatisin për ajvar ose gogozhare. Specat e kuq për ajvar aktualisht kushtojnë 50 denarë ose 0,81 cent, ndërsa vitin e kaluar ka qenë nga 20 në 30 dinarë. Mesatarisht një familje blen afër 50 deri 65 kg speca, që i bie se vetëm për speca duhet të shpenzojnë rreth 3 mijë denarë.

“Shitja është më e dobët, çmimi i specave ka arritur 50 denarë. Ndërsa ka qenë 25-30 denarë tash 50 denarë edhe zejtini kushton. Për këtë arsye edhe shitja është më e dobët”, deklaroi shitësi Bujar Idrizi.

Përpos fasuleve dhe specave rritje ka pësuar dhe qumështi nga 60 denarë (1 euro) për litër që shitej tani ka arritur në 85 denarë (1.40 euro), kurse buka nga 30 denarë (50 centë) tani shitet me 50 deri 60 denarë (prej 0.80 deri 1 euro).

Shporta e konsumit për një familje katër anëtarëshe një vit më parë ishte 34.000 denarë (550 euro), ndërsa në muajin gusht të këtij viti ajo ka arritur në 42 mijë denarë (682 euro), por nëse i shtohet edhe inflacioni prej mbi 10 për qind, atëherë shporta arrin në 48 mijë denarë(779 euro). Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut arrin në 31.000 denarë apo 520 euro, ndërsa paga mesatare në 18.000 denarë apo rreth 300 euro

Advertisement