Connect with us

Bota

Forcat izraelite kanë kryer rreth 480 sulme në dy ditët e fundit në Siri

Rënia e regjimit të Bashar al-Assad në Siri ka shkaktuar një reagim intensiv ushtarak izraelit, duke përfshirë operacionet ajrore dhe tokësore në të gjithë Sirinë. Forcat izraelite kanë kryer rreth 480 sulme në dy ditët e fundit, duke synuar objektet strategjike ushtarake, ndërsa marina izraelite ka shënjestruar flotën siriane.
OKB-ja kritikon lëvizjet e Izraelit
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz e përshkroi operacionin si një “sukses të madh”, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu përshëndeti rënien e regjimit të Asadit si një “kapitull të ri dhe dramatik”.
Netanyahu deklaroi se ky zhvillim është rezultat i goditjeve izraelite ndaj Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit dhe se tabloja gjeopolitike e Lindjes së Mesme po ndryshon. Edhe pse zyrtarët izraelitë e shohin rënien e Asadit si pozitive për shkak të lidhjeve të tij me Iranin dhe Hezbollahun, ata janë të shqetësuar për të ardhmen e Sirisë, shkruan CNN .
Ministri i Jashtëm Gideon Schar tha se Izraeli po sulmon objektet me armë kimike dhe raketa me rreze të gjatë veprimi për të parandaluar që ato të bien në duart e ekstremistëve.
“Çfarë vjen më pas mbetet e paqartë”, tha Sharr, duke shtuar se Izraeli po ndërmerr të gjitha hapat e mundshëm për të garantuar sigurinë e tij në këtë situatë të paqëndrueshme.
OKB-ja dhe një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ndërkombëtar kritikojnë lëvizjet e Izraelit, të cilat i konsiderojnë si shkelje të integritetit territorial të Sirisë dhe inkurajim të paqëndrueshmërisë së mëtejshme në vend. Që nga viti 1967, Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit në kufirin e trefishtë midis Izraelit, Libanit dhe Sirisë, dhe gjatë sundimit të Asadit ata kryen sulme në Siri.

Advertisement