Connect with us

Aktualitet

Fredi Beleri i përgjigjet kryeministrit: Më quajti llum…

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri i cili ndodhet në burg, i është përgjigjur sërish kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të këtij të fundit i cili theksoi se tashmë është një çështje për të cilën duhet të vendosë drejtësia

– Zoti Beleri, sot e diel 3 shtator, mbushni 115 ditë burg. Personalisht si jeni?

Kushtet në të cilat jetoj janë ato të një burgu shqiptar. Stafi më trajton mirë. Morali im është jashtëzakonisht i lartë. E përforcon hidhërimi që ndjej për padrejtësinë që më është bërë. A e dini se si është të jesh i burgosur padrejtësisht? Të mundohen të terrorizojnë qytetarët e Himarës? Ata të mos thyhen dhe të të zgjedhin kryetar bashkie, dhe në fund të të ndalojnë betimin? Tragjikja është se edhe pas të gjitha këtyre vazhdon të mbetet kryetar bashkie njeriu që populli i Himarës vendosi me votën e tij ta dërgojë në shtëpi. Kjo është ajo për të cilën askush nuk flet.

– Në prag të zgjedhjeve vendore, zoti Rama ju cilësoi publikisht si “armikun e tij personal”. Ju u mbështetët edhe nga Sali Berisha dhe partia e tij. A po veproni si organ opozitar që përpiqeni të rrëzoni kryeministrin shqiptar?

– Z. Rama deklaroi se shprehjet e tij të ashpra ishin pasojë e fjalimeve tuaja parazgjedhore në të cilat ju i referoheshit “helenizimit” dhe “çlirimit të Himarës” duke shfaqur një diskurs nacionalist.

Asnjëherë në fjalimet e mia publike nuk i jam referuar helenizimit apo çlirimit të Himarës. I jam referuar vetëm mbrojtjes së helenizmit të Himarës. Në mënyrë tendencioze, në një emision televiziv shqiptar “helenizmi” u bë “helenizim”. Unë fola për ne, grekët e Himarës, sepse Shqipëria që nga koha e Hoxhës nuk e pranon që në zonën tonë jeton një minoritet etnik grek. Madje, nacionalistët e Shqipërisë i referohen Himariotëve si një “popullsi shqiptare e ndikuar nga Greqia” ose si “popullsi me ndërgjegje fluide” ose si “filogreke, por jo greke”. Në familjen time ne flasim greqisht dhe po kështu ndodh me shumicën e popullsisë së Himarës. Gjuhën greke nuk e kemi mësuar në një shkollë greke. Ajo është mbyllur në vitin 1945 deri në vitin 2007, vit kur u ndërtua një shkollë private. U gëzova kur lexova intervistën e kryeministrit shqiptar ku ai u referohej grekëve të Himarës në mënyrë të vetkuptueshme. Ne po përpiqemi të mbajmë gjallë helenizmin në Himarë. Si mund të greqizohen grekët?

– Në intervistën e tij për “K”, Edi Rama ka pranuar se disa fraza kundër jush që ai ka thënë në periudhën parazgjedhore ishin të ekzagjeruara. A jeni të kënaqur me këtë?

Më vjen mirë që z. Rama bëri autokritikë për sulmin e padrejtë, megjithatë, unë vazhdoj të mbetem në burg. Ndërsa jam në paraburgim dhe i pa dënuar, më ndalohet të ushtroj të drejtat e mia civile dhe të betohem si kryetar bashkie. Cili ligj thotë se nuk mund të betohem gjatë kohës që jam në paraburgim? Ka një precedent me dy deputetë të zgjedhur, në vitin 2001 Azgan Haklaj dhe në 2015 Mark Frroku, të cilët u betuan gjatë kohës që ishin në paraburgim. Ju a thashë dhe do ta them përsëri, qëndrimi deri më sot në postin e kryetarit të Bashkisë Himarë e kundërshtarit tim të mundur në zgjedhjet e majit është e pajustifikuar dhe e papranueshme politikisht dhe moralisht. Qëndrimi ndaj meje është qartësisht hakmarrës. Ka precedent si në vitin 2001 ashtu edhe në vitin 2015 me dy deputetë të zgjedhur të betuar gjatë qëndrimit në paraburgim. E gjithë kjo, ndjekjen time penale e bën politike dhe drejtësinë të dobët. Mohimi i të drejtave të mia civile dhe shpërfillja e prezumimit të pafajësisë më dëmton mua dhe banorët e Himarës, por mbi të gjitha dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

– Ju folët për drejtësi të dobët. Zoti Rama shprehu besimin e tij tek drejtësia shqiptare duke thënë se është e pavarur prej tij. Ai theksoi se janë bërë reforma për të forcuar integritetin e këtij institucioni nën monitorimin e rreptë të BE-së, përfshirë Greqinë, si dhe mbështetjen e plotë të SHBA-së. Cila është përgjigja juaj?

Dhe ata që gjykojnë gjykohen. Unë do t’ju përshkruaj sa më thjeshtë të mundem, atë që ka ndodhur në 4 muajt e fundit. Policia fillon të më përgjojë me praktikat e sigurimit të shërbimit sekret të Hoxhës, të cilat janë të ndaluara që në vitet 1990. Për të më përgjuar rekrutuan një person të dënuar në vitin 2020 për mashtrim, i cili është marrë nga sigurimi i shtetit 15 ditë para kryerjes së krimit të pretenduar. Miratimi për përgjim u dha më mbrapa, pasi jam arrestuar, nga një prokuror inkompetent. Si kandidat për kryetar bashkie më arrestojnë teksa pija kafe me miqtë e mi dhe ky quhet arrestim në flagrancë. Gjyqtarët që nisën procedimin ndaj meje dhe vendosën paraburgimin tim janë të gjithë ish-zyrtarë apo miq të afërt me Partinë Socialiste Shqiptare. Më e rëndësishmja! Askund në regjistrimet e paligjshme nuk shfaqem duke dhënë para apo të pranoj të jap para për të blerë vota. Po pengohem të betohem si kryetar bashkie sepse prokurori përdori një dokument të falsifikuar të gjoja dënimit tim në të shkuarën. Në të njëjtën kohë, dëshmia ime penale, e lëshuar elektronikisht nga sistemi, tregon qe jam i padënuar. Po mbahem në burg prej 115 ditësh për gjoja blerje votash për shumën totale prej 340 euro. Për analogji, po të më akuzonin për 1.000.000 euro, siç akuzojnë shumë ish-ministra dhe bashkëpunëtorë të zotit Rama, do të burgosesha për 913 vjet! Në zgjedhjet vendore të majit janë raportuar 35 raste të parregullsive zgjedhore por vetëm mua më është caktuar masa e paraburgimit. Edhe më keq! Në 33 vitet që ka rënë komunizmi dhe dëgjojmë për krime elektorale, vetëm një person është arrestuar dhe ky jam unë dhe jam me origjinë greke. Prandaj nuk mjafton vetëm të flasim për drejtësi dhe reforma të pavarura. Ato duhet të vërtetohen edhe në praktikë.

– Kryeministri shqiptar në intervistën e tij për “K” tha se arrestimin tuaj e mësoi teksa operacioni ishte në zhvillim e sipër. A e beson?

Të pranojë me mirëbesim versionin e Ramës. Kjo do të thotë se disa zyrtarë të shtetit ishin më mbretër se mbreti. Të ndikuar nga sulmi retorik parazgjedhor i Ramës ndaj meje, që nisi më 6 maj, më 8 maj krijuan gjithë këtë skemë ndaj meje. Vetë zoti Rama vazhdoi sulmet personale kundër meje po atë javë. Kjo me sa duket i inkurajoi autoritetet të më arrestonin në mesnatën e 11 majit. Në një rast të tillë, mund të supozoj se disa forca të errëta dhe qarqe ekstreme nacionaliste ruajnë një parashtet brenda strukturave shtetërore të Shqipërisë dhe ndërtojnë skema që çojnë drejtësinë dhe politikanët në rrugë të gabuar. Nëse është kështu, atëherë përgjegjësia i takon kryeministrit të vendit ta konstatojë dhe me guxim e trimëri të nxjerrë në pah gabimin dhe të korrigjojë realitetin e zymtë në të cilin më përfshinë mua, banorët e Himarës dhe mbi të gjitha vendin. Nëse është ndryshe, atëherë vaj halli…

– Edi Rama shprehu qëndrimin se ndoshta shteti shqiptar duhet të presë gjyqin përpara se të procedojë me zgjedhje të reja në Himarë. A sinjalizon kjo një gjest vullneti të mirë ndaj minoritetit grek?

Zoti Rama me prepotencë pranon se një rast i tillë nuk i ka ndodhur më parë dhe shprehet se preferon të presë përfundimin e gjyqit. Ai e thotë këtë sepse, edhe pse jam kryetar i zgjedhur, vazhdoj të qëndrojë në burg pa afat për arsye të panjohura. Nuk më lejon as të bëj betimin nëpërmjet një noteri brenda ambienteve të burgut. Në të njëjtën kohë, zyra e kryetarit të bashkisë ende kontrollohet nga njeriu i tij. Pra, pse duhet të nxitojë zoti Rama?

– Pse mendoni se duhet të liroheni nga burgu?

Në tre raste mund të qëndrojë dikush në paraburgim. Kur dyshohet se do të kryej përsëri të njëjtin krim nëse lirohet. Për të mos ndërhyrë në procesin e hetimeve paraprake duke ndikuar tek dëshmitarët. Kur dyshohet se mund të largohet jashtë vendit. Nuk kemi zgjedhje në Shqipëri, rrjedhimisht nuk mund ta përsëris krimin për të cilin jam akuzuar padrejtësisht. Hetimi paraprak ka përfunduar dhe nuk mund të ndikoj te dëshmitarët. Së fundi, si kryetar bashkie kam një vendbanim të njohur dhe askush nuk e beson se do të largohem nga vendi.

– Edi Rama në intervistën për “K” mohoi kategorikisht se grekët e Shqipërisë kanë më pak të drejta se pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë dhe mohoi që grekët e Himarës, për të marrë titujt e pronësisë, kanë shitur tashmë pronën e tyre  me parakontratë tek investitorët e përzgjedhur nga qeveria. Keni detaje të tjera?

Regjimi komunist i Enver Hoxhës na mori të gjitha pasuritë e paluajtshme. Me rënien e komunizmit 33 vite më parë filloi procesi i kthimit të pronave tek pronarët. Është një çështje me interes të veçantë për BE-në dhe supozohet të jetë një prioritet për qeveritë shqiptare dhe veçanërisht për zotin Rama që po drejton vendin 10 vitet e fundit. Në maj 2020 hyri në fuqi ligji nr. 20 për t’i dhënë fund kësaj çështjeje. Shifrat z. Papadopulos janë të pamëshirshme. Rreth 8 mijë persona nga Himara kanë ndjekur parashikimet e ligjit 20/2020 dhe kanë aplikuar për kthimin e pronave të tyre. Deri më sot, tre vjet më vonë, janë dhënë rreth 30, e përsëris që të mos ketë gabim, thashë rreth 30 tituj. Pra, më pak se 0.4% e kërkesave janë plotësuar. Pothuajse në të gjitha rastet e kthimit të pronës ka patur një para kontrate të kalimit të pronës një investitori. Një nga këto tituj është blerë edhe nga bashkëshorti i ministres së Jashtme, sipas asaj që është raportuar në Kuvendin e Shqipërisë. Tani ai po ndërton një hotel në plazhin e Dhërmiut. Vetëm ky fakt e bën ministrin e Jashtëm drejtpërdrejt të implikuar në të gjithë këtë histori. Unë personalisht besoj në ekonominë e hapur dhe në investime, në tërheqjen e investitorëve, sidomos në Himarë, ku tërheqja e investitorëve do të nxjerrë në pah zonën, do të sigurojë mirëqenie dhe prosperitet. Mjafton të ketë rregulla që zbatohen dhe barazi mundësish. Para së gjithash, investitori nuk duhet të vijë nga zona gri e ligjshmërisë. Të mos jetë një grabitës që shantazhon dhe rrëmben pronat e grekëve apo shqiptarëve duke shfrytëzuar qoftë hapësira ligjore, qoftë qeveritarët e korruptuar.

Advertisement