Kosova
Gjermania e prerë/ Asociacioni në këmbim të votës në Këshill të Evropës
Gjermania dëshiron që Kosova të ndërmarrë hapa drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për të siguruar shumicën prej 2/3 në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Sipas Albanian Post, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka thënë se janë në favor të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por ndërmarrja e hapave drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një prej parakushteve kryesore për të siguruar shumicën e nevojshme në Komitetin të Ministrave.
“Sapo të jetë ndërmarrë ky hap, votimi në Komitetin e Ministrave mund të vendoset në rendin e ditës me një perspektivë të mjaftueshme për një shumicë prej 2/3 midis shteteve anëtare që kanë të drejtë vote”, ka deklaruar një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane për platformën evropiane të lajmeve “Euractiv” të mërkurën.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2022. Por, vendi i vogël ballkanik mbetet në vendndalim për shkak të zhvillimeve në dialogun me Serbinë. Kërkesa e Kosovës nuk është marrë parasysh në maj për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia kanë kushtëzuar vendin të lëvizë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka mbështetur aplikimin e Kosovës. Por, vendimmarrja për anëtarësimin e Kosovës i takon ministrave të jashtëm të shteteve anëtare në Komitetin e Ministrave. Rruga e Kosovës ka devijuar krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të shtyhet për një kohë të pacaktuar.