Bota
Gjermania ‘ngop’ NATO-n me ushtarë, aleancës i shtohen 40 000 trupa për tu mbrojtur

NATO do t’i kërkojë Gjermanisë të ofrojë shtatë brigada të tjera, ose rreth 40 mijë trupa, për mbrojtjen e aleancës.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia Reuters, duke cituar tre burime dhe duke iu referuar objektivave të reja për armët dhe numrin e trupave brenda NATO-s.
Aleanca po rrit ndjeshëm objektivat e saj të aftësive ushtarake, pasi e sheh Rusinë si një kërcënim shumë më të madh që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022.
Një zyrtar i lartë ushtarak, i cili, ashtu si burimet e tjera, foli në kushte anonimiteti, tha se objektivi për numrin total të brigadave që aleatët e NATO-s do të duhet të ofrojnë në të ardhmen do të rritet në midis 120 dhe 130.
Kjo do të thotë një rritje prej rreth 50 për qind nga objektivi aktual prej rreth 80 brigadash, tha burimi. Një burim qeveritar e vendosi objektivin në 130 brigada për të gjithë NATO-n.
Në vitin 2021, Gjermania pranoi të siguronte 10 brigada – njësi që zakonisht përbëhen nga rreth 5 mijë trupa – për NATO-n deri në vitin 2030. Aktualisht ka tetë brigada dhe po ndërton një të nëntë në Lituani për të qenë gati nga viti 2027.

