Connect with us

Aktualitet

GJKKO pranon kërkesën e SPAK, zgjaten hetimet për Bankers Petroleum

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka zgjatur me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen “Bankers Petroleum”. Prokuroret Enkeleda Millonai dhe Anita Jella argumentuan se kjo zgjatje është e nevojshme për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, për shkak të kompleksitetit të çështjes ndërsa kërkesa u miratua nga gjyqtari Erion Çela.

I vetmi që ndodhet në masën arrest në burg është CEO kinez i kompanisë, Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të tjerët janë në masa më të buta, si arrest shtëpie. Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për periudhën 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit. Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Disa ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bllokoi aktivitetin e “Bankers Petroleum” për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh, të vendosur që në 2019, pasi kompania nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin. Sipas Bankers, për këtë produkt nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk konsumohet në Shqipëri dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë ose energjisë, sipas ligjit shqiptar dhe direktivave të BE-së.

Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa 4 persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.

Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%. Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.

Advertisement