Kosova
Gjykata e Apelit lë në fuqi masën e sigurisë për ish-drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. Apeli la në fuqi masën e ‘arrestit në shtëpi’ për Muçën, pasi ky i fundit kërkoi që hetimet ndaj tij të vijonin në gjendje të lirë, me argumentin se nuk ka kryer shkelje të ligjit.
Ervin Muça akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS gjatë kohës së tij si drejtor IT në Policinë e Shtetit. Prokuroria e Tiranës njoftoi më datën 9 prill marrjen në hetim të Ervin Muçës në cilësinë e drejtorit të IT në Policinë e shtetit për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Menjëherë ai u shkarkua nga detyra që mbante prej drejtorit të përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Për këtë çështje është ngritur edhe një Komision Hetimor Parlamentar, në të cilën dëshmoi edhe Muça pa praninë e kamerave.
Ndërkohë ai u thirr në SPAK për të dëshmuar më 12 prill, ku para mediave deklaroi se është i pafajshëm, pasi sipas tij ka vetëm spekulime mediatike, ndërsa ka kryer vetëm detyrën.