Kosova
Glauk Konjufca, ura e kompromisit që Albin kurti e djeg sa herë që nuk ka zgjidhje
“Kosova nuk u përball me një krizë të rastësishme. U përball me një krizë të prodhuar. Një shumicë që fitoi zgjedhjet tri herë brenda një viti nuk arriti të ndërtojë stabilitet, por zgjodhi ta çojë vendin përsëri në zgjedhje” – keshtu shkruan analisti Baton Haxhiu ne nje editorial, duke shtuar se” Shpërndarja e parlamentit nga presidentja nuk është vetëm akt kushtetues” – Sic u shpreh ai, “Është dëshmia më e qartë se politika në Kosovë ka hyrë në një fazë ku kriza nuk është më problem që duhet zgjidhur, por qëllim për të shtyrë përpara një projekt pushteti që nuk duron kompromisin”.
“Në një periudhë të shkurtër kohore, Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e shkurtit, më pas konfirmoi forcën e saj edhe në zgjedhjet e nëntorit dhe të dhjetorit, duke u bërë pa dyshim forca më e madhe politike në Kosovë. Por ajo që duhej të ishte momenti i konsolidimit të pushtetit, u shndërrua në një periudhë të gjatë pasigurie institucionale. Në këtë proces u konsumua edhe presidenca. Vjosa Osmani u eliminua nga skena politike si presidente, por paradoksi qëndron në faktin se edhe pasi e largoi atë nga ekuacioni, pushteti nuk arriti të prodhojë një zgjidhje për veten” – ka theksuar Haxhiu duke potencuar se “Në këtë proces është konsumuar edhe figura që dikur konsiderohej ura e kompromisit. Glauk Konjufca, i paraqitur për vite si figurë konsensuale, është përdorur aq shumë në skemat taktike të pushtetit sa sot duket më shumë si instrument i momentit sesa si figurë që mund të prodhojë marrëveshje”