Connect with us

Sport

Gogla aspak të mëshirshme për ekipet shqiptare në Confence League, turi i tretë rezervon përballje të…

Ekipet shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm për turin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës, dhe shorti i hedhur në Nyon nuk ka qenë aspak i lehtë për to.Në rast kualifikimi nga raundi i dytë, të gjitha skuadrat nga Shqipëria dhe trojet shqiptare do të kenë përballë emra të fortë dhe me përvojë ndërkombëtare, duke përforcuar ndjesinë se rruga drejt fazës së ligës do të jetë më e ashpër se kurrë.

Vllaznia, e cila në turin e dytë përballet me islandezët e Vikingur, nëse kalon më tej do të sfidohet nga fituesi i çiftit mes HB Torshavn (Ishujt Faroe) dhe Brøndby (Danimarkë), një kundërshtar me emër dhe përvojë të gjatë në Evropë.

Kampionët e Egnatias, që ndeshen me Dinamo Minsk nga Bjellorusia, do të kenë një tjetër duel të ndërlikuar nëse kualifikohen. Përballë do të jetë fituesi i takimit Olimpija Ljubljana (Slloveni) apo Inter Escaldes (Andorrë), me sllovenët që përbëjnë kërcënimin kryesor.

Dinamo City, pas një shorti disi të favorshëm në turin e dytë ku do të luajë ndaj Atletic Escaldes të Andorrës, mund të ketë një mal për të ngjitur në raundin tjetër. Përballë qëndron rreziku i një superfuqie rajonale si Hajduk Split i Kroacisë, ose Zira e Azerbajxhanit.

Edhe skuadrat shqiptare jashtë kufijve përballen me short sfidues.

Prishtina e Kosovës, nëse kalon Larne nga Irlanda e Veriut, do të përballet me fituesin mes Varazdin nga Kroacia ose Santa Clara e Portugalisë.

Deçiqi i Malit të Zi, që përballet me Rapid Wien, do të ketë përballë Dundee United ose Una Strassen, nëse kalon më tej, një tjetër rrugë e vështirë.

Deri më tani, i vetmi me një short disi më të lehtë është Ballkani, i cili nëse eliminon Floriana nga Malta, do të sfidojë një nga St. Joseph’s (Gjibraltar) ose Shamrock Rovers (Irlandë).

Përfundimi është i qartë: në rast kualifikimi nga turi i dytë, ekipet shqiptare do të kenë përballë emra të fortë dhe me përvojë në kompeticionet europiane.

Advertisement