Connect with us

Lifestyle

Gratë që pijnë deri në tri kafe në ditë plaken më shëndetshëm

Një lajm i mirë për gratë që e nisin ditën me kafenë e mëngjesit: një studim i ri afatgjatë e lidh konsumimin e moderuar të kafesë me plakje më të shëndetshme. Studimi 32-vjeçar i kryer nga Shkolla e Shëndetit Publik T.H. Chan e Universitetit të Harvardit analizoi të dhënat e mbi 47,000 grave. Rezultatet treguan se ato që konsumonin rreth 315 mg kafeinë në ditë – afërsisht tri filxhanë të vegjël kafeje, kishin 13% më shumë gjasa të përjetonin plakje të shëndetshme, si në aspektin fizik ashtu edhe njohës.

Çdo filxhan shtesë lidhej me një rritje prej afërsisht 2% të mundësisë për një plakje të shëndetshme. Por ka një kusht: efektet pozitive nuk u vërejtën tek personat që konsumonin pije të gazuara, çaj ose kafe pa kafeinë. Sipas të dhënave, pijet e gazuara ndikojnë negativisht, duke ulur me 20% mundësinë e plakjes së shëndetshme.

Autorja e studimit, Dr. Sara Mahdavi, theksoi se kafeina nuk është një “ilaç mrekullie”, por për gratë që tashmë e konsumojnë dhe e tolerojnë mirë, gjetjet janë inkurajuese. “Mosha ideale kur konsumi i kafesë duket të ketë efekt më të mirë është rreth 48 vjeç,” tha ajo, duke shtuar se zakonet e vogla dhe të qëndrueshme mund të ndikojnë pozitivisht në shëndetin afatgjatë, transmeton Telegrafi.

Gjetjet, të paraqitura këtë javë në konferencën vjetore të Shoqërisë Amerikane për Ushqyerje në Orlando, ende nuk janë rishikuar nga kolegët shkencorë, por përfaqësojnë studimin e parë që vlerëson ndikimin afatgjatë të konsumit të kafesë në fusha të ndryshme të plakjes.

Deri tani nuk është sqaruar pse gratë përfitojnë më shumë se burrat nga kafeina, pasi studimi është fokusuar vetëm tek gratë. Dr. Mahdavi sugjeron se faktorët si hormonet dhe gjenetika mund të ndikojnë në metabolizmin e kafeinës.

Ajo shton: “Estrogjeni pengon një enzimë të mëlçisë që është thelbësore për zbërthimin e kafeinës, që do të thotë se kafeina mund të qëndrojë më gjatë në trupin e disa njerëzve, veçanërisht atyre që kalojnë nëpër tranzicione hormonale si menopauza, shtatzënia ose ata që përdorin kontraceptivë oralë.”

Ky faktor hormonal mund të jetë një nga arsyet pse gratë reagojnë ndryshe ndaj kafeinës, megjithëse mekanizmat biologjikë ende nuk janë kuptuar plotësisht.

Studimi mbetet një hap i rëndësishëm drejt kuptimit të ndikimit të stilit të jetesës, madje edhe zakoneve të vogla si konsumimi i kafesë në procesin e plakjes.

Advertisement