Bota
Hamasi pranon të lirojë pengjet, Trump: Izraeli të ndalojë bombardimet ndaj Gazës
Donald Trump ka thënë se Hamasi është gati për një paqe të qëndrueshme pasi militantët palestinezë ranë dakord të lirojnë të gjithë pengjet e mbetura, ndërsa i bëri thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet në Gaza. Udhëheqësi amerikan reagoi pas deklaratës së Hamasit të premten, ku u zotuan të kthejnë të gjithë pengjet e mbetura në Gaza, të vdekur dhe të gjallë.
Hamasi tha gjithashtu se dëshiron të angazhohet në negociata për të diskutuar detaje të mëtejshme të planit të paqes të presidentit, duke përfshirë dorëzimin e administrimit të enklavës një organi palestinez të teknokratëve të pavarur. Megjithatë, paralajmëroi se aspekte të tjera të dokumentit 20-pikësh do të kërkonin konsultime të mëtejshme midis palestinezëve.
Deklarata e Hamasit erdhi pasi Trump paralajmëroi se do të shpërthente një “ferr” nëse ata nuk i përgjigjen planit të tij të paqes, të njoftuar më parë këtë javë, deri të dielën. Pas reagimit të grupit, presidenti tha se tani kishte një shans të vërtetë për paqe.
“Unë besoj se ata janë gati për një PAQE të qëndrueshme. Izraeli duhet të ndalojë menjëherë bombardimin e Gazës, në mënyrë që të mund t’i nxjerrim pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë! Tani për tani, është shumë e rrezikshme ta bësh këtë. Ne jemi tashmë në diskutime mbi detajet që duhen përcaktuar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, ka të bëjë me PAQEN e kërkuar prej kohësh në Lindjen e Mesme,” shkroi Trump në Truth Social.
Në një video të postuar më vonë në platformën e tij të mediave sociale, Trump e quajti atë një ditë shumë të veçantë dhe tha se fundi i luftës ishte shumë afër. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte i përgatitur për zbatimin e “fazës së parë” të planit të Trump, me sa duket në lidhje me lirimin e pengjeve.