Connect with us

Aktualitet

Hapen aplikimet për t’u bërë pjesë e Gardës, kriteret që duhen të plotësoni

Garda e Republikës ka shpallur konkurimin për 70 vende të lira për punonjës të nivelit bazë, me gradën Inspektor. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Taulant Balla përmes një postimi në rrjetet sociale, ku fton çdo të ri apo e re, të moshës 19–30 vjeç të bëhet pjesë e Gardës.

Balla deklaron se Garda e Republikës ka hyrë në një fazë të re ristrukturimi dhe transformimi dhe sipas tij, ajo kryen çdo ditë misionin e saj me vendosmëri dhe besnikëri ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit.

Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët:

a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë;
ç) të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) të jetë i moshës 19-30 vjeç;
dh) të jetë i aftë nga ana shëndetësore për të kryer shërbim në struktura që, sipas ligjit, lejohet të mbajnë armë;
e) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtjeje penale me dashje;
ë) të mos jetë në ndjekje penale;
f) të mos jetë përjashtuar ose larguar nga puna për shkelje ligjore apo disiplinore;
g) të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve në administratën publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
gj) preferohen me gjatësi trupore, jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe 170 cm për femrat;

Aplikanti që nuk plotëson qoftë edhe një nga kriteret e mësipërme, nuk kualifikohet dhe nuk do të vazhdojë aplikimin.

Dokumentet që duhet të paraqesin kandidatët:

Aplikantët duhet të paraqesin në fazën e parë të konkurrimit dokumentet:

a. Kërkesë;
b. CV (curiculum vitae);
c. Kopje të kartës së identitetit;
d. Dëftesën e shkollës së mesme ose listë notash, të cikluar në Drejtorinë Arsimore të Rrethit, të fotokopjuar dhe të noterizuar;
dh. Vërtetim nga Gjykata;
e. Vërtetim nga Prokuroria;
ë. Raport i aftësisë në punë (sipas shtojcës V, të VKM nr.596, datë 4.9.2019), nga mjeku i familjes;
f. Dëshmi për kualifikimet e kryera (nëse ka);
gj. Deklaratë personale mbi pastërtinë e figurës (plotësohet kur aplikanti paraqitet për testim);
h. Dy foto (9 x 12) me këmishë e kollare.

Dokumentat do të dorëzohen nga aplikanti në adresënGarda e Republikës, Rruga e Elbasanit, Pallati i Brigadave, Tiranë, brenda datës 26 janar 2024.

Aplikanti do t’i nënshtrohet intervistës dhe vlerësimit psikologjik, ditën e dorëzimit të dokumenteve.

Kandidatët e kualifikuar në fazën e dorëzimit dhe kontrollit të dokumenteve, duhet të paraqiten në orën 08:00, të datës 29 janar 2024, në adresën: Qendra e Aftësimit Profesional të Gardës së Republikës, Mullet, Tiranë.

Kandidatët do t’i nënshtrohen testimit në 3 faza:

a. Vlerësim i aftësive shëndetësore;
b. Intervista dhe testi psikologjik;
c. Testim i aftësive fizike.

Aplikanti skualifikohet në rastet e mëposhtme:

a. Nuk kalon kontrollin shëndetësor;
b. Nuk kalon testin psikologjik;
c. Nuk kalon testimin e aftësive fizike;
ç. Nuk paraqitet në kohën e caktuar në një nga fazat e testimit.

Postimi i plotë i ministrit Taulant Balla:

Garda e Republikës kryen çdo ditë misionin e saj me vendosmëri dhe besnikëri ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Ndoshta shumë nuk e dinë faktin se heroi ynë Isa Boletini ka meritën e veçantë si krijuesi i parë i Gardës Kombëtare në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës.

Sot, Garda e Republikës po hyn në një fazë të re transformimi dhe ju fton të bëheni pjesë e saj, duke shpallur konkurimin për 70 vende të lira për punonjës të nivelit bazë, me gradën Inspektor. 

Çdo i ri apo e re, të moshës 19–30 vjeç, që kanë dëshirë të shërbejnë në Gardë mund të aplikojnë deri në datë 26 janar 2024. Aplikantët do t’i nënshtrohen testimit në tre faza, vlerësimit të aftësive shëndetësore, intervistës dhe testit psikologjik si dhe testimit të aftësive fizike.

Procesi i testimit do të zhvillohet në datë 29 janar 2024, pranë Qendrës së Aftësimit Profesional të Gardës së Republikës, në Mullet, Tiranë.

Advertisement