Kosova
HAPI I MADH/ Albin Kurti duhet të bëjë kompromise të mëdha për të qëndruar në pushtet

Analisti politik Artan Muhaxhiri beson se kryeministri Albin Kurti është në pozitë të vështirë dhe se për të siguruar vazhdimësinë në pushtet, ai duhet të bëjë kompromise të mëdha pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.
Muhaxhiri tha se një nga opsionet e Albin Kurtit është të bëjë koalicion me nje nga partite e opozites shqiptare, që do t’i siguronte atij 61 vota në parlament, duke shmangur kështu varësinë nga Lista Serbe. Megjithatë, ai theksoi se retorika e ashpër e Kurtit ndaj kundërshtarëve politikë gjatë kësaj periudhe mund ta vështirësojë këtë proces.
“Ka pasur fjalë të ashpra kundër opozitës, ndaj tani Kurti duhet të bëjë një hap të madh përpara si moralisht ashtu edhe politikisht, nëse dëshiron të qëndrojë në pushtet. Në të kundërtën duhet të respektojë afatet kushtetuese”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, reagimet e partive opozitare tregojnë se koalicioni me Vetëvendosjen nuk ka gjasa, ndërsa, siç tha ai, në lojë mbetet Nisma, e cila me tre deputetë mund të ndihmojë partinë e Kurtit të arrijë shumicën parlamentare.
“Nëse bëhet një koalicion mes një partie të madhe dhe një partie të vogël, shpesh nuk funksionon, sepse partia e vogël bëhet faktori vendimtar, edhe pse ka një numër modest deputetësh. Në ketë rast Fatmir Limaj do të kishte fuqi të madhe”, ka theksuar Muhaxhiri.

