Shkrime
Helikopteri i Ramës dhe një episod me Tre të Mëdhenjtë e Amerikës
Por, 2008-a nuk ishte vit kohësh të zakonshme. Bankat e mëdha amerikane kishin falimentuar, Wall Street ishte në gjunjë, dhe miliona amerikanë kishin humbur shtëpitë, në atë që u mbiquajt financial buble (fluska financiare).
Disa prej bankave u shpëtuan nga ndërhyrja e qeverisë federale sipas parimit too big to fail. Këtë fat patën edhe The Big Three, siç quheshin kompanitë legjendare të makinave me qendër në Detroit. Tri markat Chrysler, Ford dhe GM ishin pjesë e stofit kombëtar, emblema të mënyrës amerikane të jetesës.
Në kushtet e falimentit dhe krizës më të madhe ekonomike, që nga rënia e bursës në vitin 1929, kursimi dhe modestia u bënë kryefjala.
Si mundeshin, atëherë, ekzekutivët e tri kompanive të mëdha, në një kohë të shtrëngimit të rripit, në çastin kur qeveria federale, me taksat e amerikanëve, po i shpëtonte nga falimenti, të udhëtonin drejt Shtëpisë së Bardhë me charter, konsumues të mijra litrave karburant?
Pse nuk udhëtonin me linjat tregtare?!
Këto pyetje u ngritën në formë zemërimi, edhe si demonstrim i pafuqisë që shpaloste thënia too big to fail ku të vegjlit nuk përfshiheshin.
Nëse e deshkallëzon krahasimin mes Amerikës dhe Shqipërisë, duke marrë parasysh fuqinë ekonomike, popullsinë, e me radhë, mund të thuhet se i njëjti cinizëm shpaloset edhe në vendimin e kryeministrit Rama për të marrë helikopterin dhe shkuar në Korçë.
Nëse rasti amerikan përshkruan një krizë të thellë ekonomike, rasti shqiptar përmban një krizë të thellë infrastrukturore dhe qeverisjeje. Prej thuajse një jave, aksi juglindor i Shqipërisë, që lidh Elbasanin me Librazhdin, Përrenjasin, Pogradecin, Korçën dhe qindra fshatrat e tyre, është i bllokuar nga disa shembje të njëpasnjëshme të brinjëve, lart dhe poshtë rrugës kombëtare.
Mijra banorë janë të izoluar nëpër fshatra, ndërkohë që mijra të tjera kanë kaluar orë të gjata në trafik. Transporti rajonal i mallrave, që qarkullojnë në Korridorin 8, është bllokuar apo pezulluar. Pamjet e zonës ku aksi ka rënë janë apokaliptike. Nëse qytetarët fajësojnë menaxhimin e kompanive dhe qeverisë për shembjet e njëpasnjëshme, Edi Rama dhe qeveritarët fajësojnë natyrën apo Zotin. Ajo që Rama nuk thotë, është se Zoti ka qenë aty, me reshjet dhe të papriturat edhe para se të vinte ai (Viti I fillon me Krishtin, jo me të). ‘Kryengritja e Zotit’ në mandatin e katërt të Ramës është pak e vështirë për t’u besuar, por Kryeministri njihet për pirutetat dhe nuk ka banuar asnjëherë afër fakteve dhe as së shenjtës.
Përtej kësaj, fluturimi i tij me helikopter, mbi një zonë në të cilën qytetarët e thjeshtë janë bllokuar është momenti fuck you! i Edi Ramës për popullin e tij. Në një postim, pas zhurmës që u bë nga opozita dhe në rrjete sociale, Rama nuk merrej me thelbin, nuk kërkonte ndjesë, por ushtrohej, si përherë, në paralelen e vdekur të shpërfilljes dhe arrogancës, duke gjykuar kundërshtarët dhe kritikët, kur ata i gjykonin standardin.
Afërmendsh, nuk ishte ky reagimi i bosëve amerikanë në vitin e largët 2008. U shfaq pendesë, iu faturua e gjitha një nxitimi dhe papërgjegjshmërie, pati një prapakthehu.
Jo për Edi Ramën. Ai fluturoi mbi rrugët e fundosura të qeverisjes së tij, diku mes Korridorit 8, i cili i ra në Shkumbin, dhe Via Egnatias të ndërtuar nga romakët para më shumë se 2 mijë vitesh.
Çfarë paradoksi brilant i historisë. Në udhën ku dikur shkonin legjionet, karvanet e mallrave dhe ekspeditat ndëshkimore të Perandorisë Romake, sot përpëliten nënshtetasit (gati për në BE!) të Edi Ramës.
Mbi krye, për të shmangur baltën, sidomos atë të dështimeve të tij, me siguri me një ndjesi imperatoriale në lukth, helikopteron Edi Rama. Zgjat kokën për të parë poshtë në humbëtirat e provincave, ku janë ata që e votojnë dhe ata që nuk e durojnë, dhe më pas i kthehet celularit ku merr të shkruajë një tekst anatemues për ata që ankohen.
Ai nuk qeveris më. Thjesht menaxhon pozicionet e shpinës së instinktit për pushtet. Në Washington rri pas Perandorit të Romës së Re, Trumpit, me përulësinë e një skllavi nga provinca e Ilirisë, në Iliri fluturon, pa i cekur këmba dhe, mbi kryet e nënshtetasve të cilët i ka lënë në baltë.
Me gjasë, i pëshpërit vetes: Vae victis!