Aktualitet
Helmimi i të miturve/ Prindërit paralajmërojnë protestë para kopshtit: Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe…

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me helmimin e disa fëmijëve në Gramsh. Prindërit shprehen se fëmijët e tyre kanë pasur temperaturë dhe të vjella për shkak të helmimit. Brenda 24 orëve, të paktën 12 fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit, ndërsa disa prej tyre u mbajtën nën kujdes intensiv pediatrik për shkak të dehidratimit të theksuar.
Një prind ka theksuar se nuk e dinte se kishte edhe fëmijë të tjerë në të njëjtën gjendje shendetësore si fëmija i tij teksa shtoi se këtë e mësuan në urgjencë. Ata shtojnë se kopshti nuk i ka njoftuar për asgjë.
“Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe nuk pushonte së vjelluri. E çuam në urgjencë dhe vetëm atëherë mësuam se kishte edhe të tjerë në të njëjtën gjendje,” tha një prind.
“Kopshti nuk na njoftoi për asgjë. As nuk e dinim se mund të ishte helmim,” shtoi prindi.
Prindërit kërkojnë përgjigje dhe ndëshkime. Shumë prej tyre janë të shqetësuar që rasti mund të mbulohet dhe që askush të mos mbajë përgjegjësi. Ata kanë paralajmëruar që në fillim të javës do protestojnë para kopshtit.

