Kronike
Hetimet për atentatin ndaj Gjeloshit/ Zbulohet se çfarë u gjet në makinat e vjedhura
Dy mjetet që u përdorën për atentatin ndaj biznesmenit plagosen Ardian Gjeloshi, ku mbeti i vrarë Selman Mihana u gjetën të djegura në këtë vend pranë Urës së Milotit afro 1 km larg “Rrugës së Kombit”.
Aty kanë mbetur vetëm gjurmët dhe pak mbetjet, pasi makinat e shkrumbuara janë marrë për ekspertizë mjeko ligjore! Të dy mjetet rezultojnë të vjedhura.
Vendi ku u dogjën makinat
Burime thanë se ekspertët gjetën aty edhe 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur për atentatin e së shtunës në Gurëz te Kurbinit.
Ekspertët do të tentojnë të nxjerrin gjurmë nga armët dhe mjetet, ndërsa djegia nga autorët ka pasur si qëllim pikërisht eliminimin e çdo materiali që ata mund të kenë lënë.
Autorët ishin të paktën 8 persona dhe sipas dëshmive ishin të maskuar me veshje të ngjashme me ato të policisë së shtetit. Pasi dogjën mjetet ata kanë humbur çdo gjurmë!
Në polici janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ekzekutorët zyrtarisht mbeten të lirë!
Biznesmeni Ardian Gjeloshi mësohet se është marrë në pyetje në Spital dhe ka mohuar të ketë konflikte!
Por kjo dëshmi është marrë me rezerva edhe për shkak të fakteve në dosjen e policisë për një ngjarje në vitin 2002.
Hetuesit kanë dyshime të forta se atentati ka prapavijë hakmarrjen ose konfliktet për biznesin e inerteve.