Kronike
Himarë, furnizonin turistët me kanabis, në pranga dy të rinjtë
Janë sekuestruar 1500 doza kanabis gati për shitje në Himarë. Janë arrestuar Oltion Bodinaku dhe Lulo Hasani, shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Himarës.
Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Parts 2”, sekuestrohen rreth 1500 doza të lëndës narkotike kanabis, gati për shitje.
Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas që shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Himarës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 2”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-O. B., 33 vjeç dhe L. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në camperin që këta shtetas kishin në përdorim, shërbimet e Policisë gjetën rreth 1500 doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të kanabisit, kryesisht për turistët, në lokalet e natës, në qytetin e Himarës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.