Connect with us

Kronike

Hodhën 2 shishe me benzinë në oborrin e një personi, dy të miturit vihen në pranga

Dy të mitur janë arrestuar në Tiranë, pasi akuzohen se hodhën lëndë djegës në oborrin e një banese. Në pranga janë vënë një 17-vjeçar dhe një 16-vjeçar. Të dy janë kapur nga kamerat e sigurisë duke hedhur dy shishe me benzinë në oborrin e shtëpisë së një personi për shkak të konflikteve për motive të dobëta që kanë patur më parë me të.

NJOFTIMI I POLICISË

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Yard”. Hodhën lëndë djegëse në oborrin e banesës së një shtetasi, për motive të dobëta, identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas të mitur. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se gjatë natës ishte hedhur lëndë djegëse në oborrin e një banese, në rrugën “Berit Beker”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Yard”, u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan 2 autorët e dyshuar, një 17-vjeçar dhe një 16-vjeçar. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur 2 shishe me lëndë djegëse (benzinë) në oborrin e banesës së shtetasit D. Xh., për shkak të konflikteve për motive të dobëta që kanë patur më parë me të. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Advertisement