Connect with us

Politike

Homazhe për Haxhi Thaçin/ Spiropali: Në mungesë të Hashimit do të të përcjellim ne

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim emocionues në homazhet në nder të Haxhi Thaçit, babait të Hashim Thaçit që ndërroi jetë dy ditë më parë.

Ajo ka thënë se askujt, përveç Serbisë, nuk i bënë nder fakti që udhëheqësit e UÇK-së janë në Hagë duke u shprehur se në mungesë të Hashimit, të cilit nuk iu lejua ardhja në ceremoni nga Gjykata Speciale, përfaqësues nga e gjithë Shqipëria janë të pranishëm.

“Shumë i nderuar e shumë i dashur Hashim që na mungon në këtë përcjellje të babait tënd, sepse padrejtësitë politike e kombëtare të burgosjes tënde dhe luftëtarëve të tjerë, sot iu shtua edhe një padrejtësi morale e njerëzore.
Të dashur familjarë të atdhetarit Haxhi Thaçit.
Ky burrë për të cilën morëm të gjithë rrugën për në Skënderaj, është shembull se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet atdhetar i madh. Përkushtimi i përditshëm i një burri në dukje i zakonshëm, frymëzojnë. Kjo është e mundur kur urtësia, ndjeshmëria, lidhjet e forta me njerëzit, i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndryshohen, shumëfishojnë sakrificat.

Faleminderit burrit e patriotit që na dha Hashim Thaçin, udhëheqësin politik të UÇK-së, lufta e të cilës me mbështetjen e popullit, e të Amerikës dhe NATO-s e ka bërë Kosovën shtet të lirë.
Nuk i bënë nder askujt përveç armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të UÇK-së janë sot në shtatë penxheret në Hagë. Si viktima të një drejtësie që po bëhet iluzion, e po shkallmon vlerat, parimet e standardet e drejtësisë. I vuri vulën me ndalimin e Hashim Thaçit për t’i dhënë lamtumirën babait të vet.
Baca Haxhi në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim nga Shqipëria e nga gjithë shqiptaria.
Të kam sjell edhe një dorë dheu nga Shqipëria. Lamturmirë atit të atit të pavarësisë së Kosovës”, tha ajo.

Advertisement