Connect with us

Kosova

Hovenier: Armët e sulmuesve serbë në veri ishin të sofistikuara, nuk mund të blihen në tregun lokal

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, teksa ka komentuar ngjarjen në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë se armët e përdorura nga sulmuesit serbë ishtin të “sofistikuara” dhe se nuk mund të blihen në tregun lokal. “Ka disa gjëra që i dimë. E dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, që ishin të gjithë serbë me sa dihet, kishin qasje dhe posedonin armë shumë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal. Duhet të ketë një strukturë, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron ato armë”, ka theksuar ambasadori Hovenier. Në një intervistë për programin në gjuhën shqipe të “Zërit të Amerikës”, ambasadori amerikan në Prishtinë, ka thënë se pjesa më e madhe e armatimit të konfiskuar nga Policia e Kosovës, ishte me origjinë nga Serbia, dhe ka shtuar se SHBA-të po punojnë për të mësuar më shumë rreth sulmit vdekjeprurës të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd kishte pretenduar se përgjegjësi për organizimin e sulmit terrorist, Millan Radoiçiç, ka blerë “armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi shkatërruese” nga Tuzla – qyteti i tretë më i madh në Bosnje-Hercegovinë . Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka prezantuar materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur, ku përveç video-pamjeve të shkëputura nga dronët e konfiskuar dhe dëshmive që grupi për një kohë është stërvitur në Serbi, në mesin e provave janë edhe formularë të lëshuar nga ushtria serbe për një numër armësh që i janë dhënë në shfrytëzim këtij grupi kriminal.

Advertisement