Connect with us

Aktualitet

Humbën jetën babë e bir, media britanike: I mori lumi

Daily Mail i ka dedikuar një artikull Pjetër Rushajt dhe të birit Jason, të cilët humbën jetën si pasojë e motit të keq në Shqipëri. Në lajmin e botuar përshkruhen dhe pamjet dramatike që ka publikuar policia, në momentin e nxjerrjes së trupave të 50-vjeçarit e djalit të tij, vetëm 14 vjeç, nga uji që i rrëmbeu. Për familjen në fjalë përmendet sigurisht edhe fakti që ata jetonin në Britaninë e Madhe, vend të cilin e lanë për tu kthyer e për të investuar në vendlindje. Daily Mail thekson dhe situatën e Shqipërisë pas shirave të dendur, përmbytjet dhe evakuimin e shumë familjeve nga Shkodra e Lezha.

Artikulli:

Një baba dhe bir shqiptar, të cilët u shpërngulën në Britaninë e Madhe disa vite më parë, humbën jetën në vendlidje teksa makinën e tyre e mori lumi. Pjetër Rushaj, 50 vjeç, dhe djali i tij Jason, me origjinë nga Shqipëria, por që mendohet se jetonte në Midlands, vdiqën pasi makina e tyre u rrëzua në një lumë të dielën, pas më shumë se 24 orësh shiu të dendur. Vajza adoleshente e zotit Rushaj, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, arriti t’i shpëtonte tragjedisë në Bogë, në rrethin e përmbytur të Shkodrës në veri të Shqipërisë, pasi arriti të zbresë nga automjeti për të gjetur ndihmë përpara se makina të fshihej. Pamjet dramatike të postuara nga policia shqiptare në faqen e saj në Facebook tregojnë një ekip shpëtimtarësh duke përdorur një sërë litarësh të mëdhenj për të tërhequr mbetjet e Mercedes Benz-it nga lumi në mes të kushteve të rrezikshme. Një zëdhënës i policisë tha se Pjetri ishte përpjekur të kalonte lumin dhe makina kishte ngecur. Ai i tha vajzës së tij 14-vjeçare të shkonte në fshatin më të afërt për të marrë ndihmë, por ndërsa ajo ishte larg, një rrymë e madhe uji, rrëmbeu babanë dhe vëllain e saj. Zhytësit përfundimisht gjetën trupat e Pjetër dhe Jason dje pas një operacioni të gjatë shpëtimi. 

Rajonet veriore të Shqipërisë janë ndër më të goditurat nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur në të gjithë Ballkanin ditët e fundit. Mijëra hektarë tokë bujqësore dhe qindra shtëpi u përmbytën ndërsa autoritetet evakuuan shumë familje mes ndërprerjeve të energjisë elektrike. Zyrtarët thanë se ndërtuesi i pronave Pjetër jetonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte kthyer në Shqipëri pasi kishte dëgjuar për stuhi dhe po kontrollonte për dëmtime të mundshme në shtëpitë që ai zotëronte dhe kishte ndërtuar me paratë e fituara në MB.

Vdekjet u njoftuan në Mbretërinë e Bashkuar nga vajza tjetër e familjes, Anais Rushaj, 24 vjeçe.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë vdekjen e parakohshme të babait Pjetër Gjok Rushaj dhe vëllait tonë Jason Pjetër Rushaj.”

Anais vazhdoi duke thënë se funeralet e tyre do të bëheshin më 22 nëntor në një varrezë katolike.  Policia shqiptare dhe ekipet e shpëtimit kryen një kërkim 16-orësh që zgjati nga e diela deri të hënën, duke gjetur përfundimisht trupat e Pjetrit dhe Jasonit.

Një përditësim i policisë i shpërndarë dje në mediat sociale thoshte: Rrjedha e ujit të lumit kishte rrëmbyer një automjet në të cilin udhëtonin tre persona (babai, djali dhe vajza).

“Ju informojmë se pas 16 orësh kërkime intensive nga ekipet e shpëtimit të repartit të reagimit kritik, grupit të evakuim-shpëtimit, grupit alpin të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivëve të komisariatit Malësi e Madhe, janë gjetur dy trupa (babë e bir) buzë lumit në Bogë.’

Por Pjetër dhe Jason nuk ishin viktimat e vetme të përmbytjeve të shpejta, pasi lumenjtë e fryrë në Mal të Zi dhe pjesë të Serbisë morën katër jetë gjatë fundjavës.

Një grua dhe dy fëmijët e saj u mbytën në Mal të Zi kur makina e tyre u zhyt në një lumë teksa po kalonte mbi një urë, ndërsa në Serbinë jugore, një djalë dy vjeçar u mbyt pasi ra në lumë.

Autoritetet në rajonin jugor serb të Rashkës shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve të mëdha dhe ushtria u vendos për të ndihmuar popullatën lokale me evakuimin dhe dërgimin e ujit të pijshëm dhe ushqimit. Shiu i rrëmbyeshëm deri në 400 mm (14 in) në 12 orë të dielën bëri që lumi Drin, më i gjati në Shqipëri, të dalë nga brigjet e tij me të paktën katër inç, sipas autoriteteve. Qindra trupa të ushtrisë u dërguan për të evakuuar familjet pasi më shumë se 600 shtëpi u përmbytën.

“Shkodra për momentin është i izoluar nga pjesa tjetër e vendit”, tha kryebashkiaku Bardh Spahia. Fermerët, të cilët kanë vuajtur vazhdimisht nga përmbytjet në epokën postkomuniste, shprehën dëshpërim për humbjet e tyre, ku përfshihej edhe bagëtia, dhe i kërkuan qeverisë të ndihmojë.

“Ne kemi nevojë për ndihmën e qeverisë sepse dëmet nga përmbytjet janë shumë, shumë të rënda,” tha Lina Zefi, 60 vjeç, në fshatin Kuç, më pak se gjashtë milje nga Shkodra. Xhamia historike e Plumbit e shekullit të 18-të në Shkodër ishte gjithashtu nën ujë të hënën pasi pësoi dëme nga përmbytjet e kaluara. Përmbytjet kanë prekur edhe zonat në Kosovën perëndimore, duke shkaktuar disa dëme në ndërtesa dhe mbyllje shkollash, por nuk raportohet për viktima.

Advertisement