Connect with us

Aktualitet

“I dhanë orën 400 mijë euro politikanit shqiptar, donin të ndërtonin kullë në Tiranë”

Artan Hoxha ka dhënë detaje për një proces gjyqësor që po zhvillohet në Bruksel, për një organizatë të fuqishme kriminale shqiptare, e cila vepronte në disa shtete të Europës.

Hoxha ka shpjeguar lidhjet e forta të krerëve të organizatës edhe me politikanë shqiptarë dhe planet për të pastruar paratë në kulla dhe biznese në Shqipëri.

Hoxha tha se ata kanë dhënë dhurata për politikanët tanë, përfshirë edhe një orë me vlerë 400 mijë euro, por nuk është publikuar emri i politikanit që e ka marrë.

“Bëjnë biznes në Bruksel për të pushtuar Tiranën. Ditën që ka ndodhur operacioni, në shtatë shtete të Evropës, janë bërë 80 kontrolle, mbi 50 arrestimet, sipërmarrje e madhe e policive të disa shteteve. Rreth orës 04:00 më shkruajnë shqiptarë nga Fieri, që jetojnë në Antëerp dhe thonë ka ardhur policia dhe është thyer banesa e bashkë-patriotëve.

Prokurori ka hetuar edhe çështjen Toyota Yaris në Shqipëri, 5 milionë euro që do të vinin në Shqipëri dhe u lajmërua edhe në Parlament para se të vinin. Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë të kujt ishin paratë. Ne e mbyllëm si histori dhe nuk pati hetim.

Kishim të bënim me laboratorë të përpunimit të kokainës në Belgjikë dhe në Hollandë. Personat që qëndronin në krye ishin shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, kishin si bazë ishullin Majorka të Spanjës.

Biznesmeni kryesor, Bashkim Osmani, e ka hetuar edhe FBI, policia gjermane, u kap në Kroaci në 15 shkurt 2022 dhe në 2 mars u ekstradua në Spanjë, por doli me garanci pasurore, paraqitet në gjykatë dy herë në muaj.

Nga hetimet e deritanishme, zanafilla ka qenë një kapje e rastësishme nga policia belge.

Vijmë te pjesa e Shqipërisë. Grupi ka patur kontakte me njerëz të elitës politike dhe biznesit dhe pushtetit. Interesi ka qenë pastrimi i parave.

Në një nga takimet, kanë udhëtuar nga Europa me avion privat në drejtim të Arubës. Dyshohet që ka marrë pjesë një bosë i krimit të organizuar shqiptar që jeton në Florida, këta të tjerët nga Majorka, këta të tjerët nga Shqipëria.

Kanë diskutuar çfarë procedurash duhen për të ndërtuar kullë në Tiranë. Paratë ishin cash dhe si do të futeshin në sistem. Kjo është kapur nga prokuroria belge. Prokurorit belg nuk i intereson çfarë do të ndërtojnë në Tiranë, por u intereson krimi në Belgjikë. Kanë futur disa tonë kokainë. Belgjika heton krimet që kanë ndodhur në Belgjikë. A kanë bashkëpunuar tanët me Belgjikën? Kanë material për një hetim që mund të bëhet edhe në Shqipëri. Kullat, vinçat, paratë që nuk e dimë nga vijnë, çmimet që shkojnë kacafiu. Në vend të bjerë çmimi për metër katror, ndodh e kundërta.

Hetimi “Shqiponjat e zeza”, ne na intereson të zbërthehet, të marrim dosjet e Italisë, Kroacisë, Spanjës, Hollandës dhe të krijojmë panoramë.

Ky personi nga Gjermania, kontrollon industrinë e lojrave të fatit, ndërsa në Shqipëri ka miq shumë të rëndësishëm. Ka qenë afër kryeministrave tanë, quhet Bashkim Osmani. Ky është kapur në Kroaci, ka lidhje shumë të forta në Shqipëri. Vetëm pikturat që janë gjetur, shkojnë në 17 milionë euro, 86 piktura. Pretendohet se është dhuruar një orë me vlerë 400 mijë euro, një personazhi nga politika jonë, por nuk identifikohet. Janë paguar pushime, pushime me jahte.

Edhe kokaina është marrë me jahte dhe avionë të vegjël. Është hetim shumë kompleks, ata kanë përdorur dy portet belge dhe Belgjika po heton për hesap të vetë. Prokurori ka vepruar në shtatë shtete dhe nuk është në gjendje ti koordinojë në të gjitha këto.

Gjithë ky hetim dhe Shqipëria ka qenë larg këtij hetimi. Është pikëpyetje e madhe kjo. Kemi të bëjmë me personazhe që na çojnë te këta njerëzit të rëndësishme”, tha Hoxha në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Advertisement