Kosova
I FRIKESUAR për të ardhmen/ Kosova mund të paguaj çmimin e tolerimeve që i ka bërë Serbisë
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se marrëveshjet që Kosova, përkatësisht kryeministri Albin Kurti, i ka pranuar vitin e kaluar në kuadër të dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, siç u shpreh ai kanë “përmbysur qëllimet fondamentale” politike dhe unitetit politik të proklamuar më 17 shkurt 2008.
Si një nga juristët më eminentë në Kosove, Hasani theksoi se zotimi i marrë nga Albin Kurti për Asociacionin, në kuadër të Marrëveshjes Bazike është “autonomi serbe” dhe sic deklaroi ai, “Këto marrëveshje tanimë janë pjesë e mekanizimit sanksionues të Kosovës për çdo lëshim eventual në zbatimin e tyre”.
Edhe persa i përket pozitës ndërkombëtare të Kosovës aktualisht, në prizmin e Profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “ajo nuk është e mirë”.
“Përveç që nuk ka pasur asnjë njohje, Kosova është identifikuar si ‘delja e zezë’ në agjendën e BE-së”, potencoi Hasani, duke vlerësuar se “kjo do kohë e mund për t’u ndrequr!”.
Ai beson se e gjithe kjo pozitë e pafavorshme e Kosovës buron nga “leximi tërësisht i gabuar i pasojave të luftës në Ukrainë.
“Lidershipi ynë ka kultivuar një retorikë boshe dhe shterpe, tërësisht të pavlerë në raport me agresionin rus në Ukrainë” – theksoi ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duke potencuar se “Njëkohësisht me këtë, liderët kanë ngritur tonin luftarak të Kosovës në raport me Serbinë, në emër të identifikimit të Vuçiç-it dhe regjimit të tij si aleat i Rusisë dhe produkt i Millosheviç-it”, por per Hasanin, as njëra dhe as tjetra retorikë nuk kanë dhënë efektin e duhur.
Në fakt, sipas tij, kjo lloj retorike ka dhënë efektin e kundërt, “sepse e ka paraqitur Kosovën si të gatshme për t’u futur në telashe dhe probleme rajonale”.
Teksa pas rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, shumë vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendor të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor konsiderojne se administrata e dytë e Trump-it do t’i kthehet Marrëveshjes së Uashingtonit, duke e lënë në hije atë të Brukselit.
Por, Enver Hasani mendon ndryshe. Sipas tij “Administrata Trump II, do ti bëj presion Kosovës për të zbatuar zotimet e marra në vitin 2023 nga Qeveria Kurti, duke i dhënë prioritet absolut formimit të shpejt të autonomisë serbe në Kosovë”. Por në të njëjtën kohë, profesori beson fuqishëm se dimensioni ekomomik i Marrëveshjes së Uashingtonit do t’i shtohet zotimeve të Kosovës të vitit 2023.