Kronike
I lehtësoi akuzën autorit të vrasjes së Egli Progës, largohet prokurorja e Pogradecit
Pas kërkesës së familjarëve të Egli Progës ditën e sotme është marrë vendimi për ndryshimin e prokurores së çështjes së 42-vjeçarit. Më tej bëhet me dije se pas largimit të prokurores Vasjana Postoli, çështjen po e heton vetë drejtuesja e prokurorisë Korçës, prokurorja Dhorina Theodhori.
Prokurorja Postoli ndryshoi akuzën për të dyshuarin Denis Meçe, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”. Për vrasjen e Egli Progës Denis Meçe është në burg, ndërsa tre personat e tjerë Leonidha Guçe, Arjan Manellari dhe Voltan Shkulaku janë me masë detyrim paraqitjeje për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Egli Proga u dhunua nga 29-vjeçari Denis Meçe, ku dëmtimet në trup i shkaktuan atij vdekjen. Meçe është tashmë i arrestuar, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë ende pasi ka dyshime se ngjarja ka tentuar të fshihet nga autoritetet. Në pranga bashkë me autorin janë vënë edhe tre persona të tjerë, Voltan Shulkun, Leonidha Guçen, Arian Manellarin. Ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.