Kronike
I ngacmoi të dashurën, 34-vjeçari i la takim me adresën e saj/ Zbardhen detaje nga dhunimi i 42-vjeçarit
Bajram Gjeleshi 34-vjeç dyshohet të jetë autori i dhunimit të Rigels Kasos nga Bilishti, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Tiranë.
Bëhet e ditur se 34-vjeçari Gjeleshi është shpallur në kërkim nga policia për dhunën që ka ushtruar ndaj devolliut. Rigels Kaso kishte tre ditë që kishte ardhur në kryeqytet, ku nisi që të flasë me mesazhe me bashkëjetuesen e autorit.
Por gjatë kësaj kohe Gjeleshi kishte zbuluar sms e shkëmbyera mes tyre, dhe duke folur në emër të së dashurës së tij ka lënë një takim me 42-vjeçarin Kaso në afërsi të shtëpisë në rrugën ‘Sokrat Miho’.
Kaso ka shkuar në vendin ku ishte lënë takimi me idenë se do të takonte bashkëjetuesen e Gjeleshit, por aty ka takuar këtë të fundit. 34-vjeçari e ka dhunuar Kason me sende të forta duke e lënë të shtrirë në tokë.
Më pas Rigels Kaso u gjet mëngjesin e ditës së djeshme i shtrirë në rrugë me shenja dhune. Për shkak të dhunës ai ka pësuar fraktura të shumta në kokë dhe trup, dhe ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në intubim në gjendje kritike për jetën.